E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Ligjet, tek opozita para se të kalojnë në qeveri

Kryeministri Sali Berisha publikon një tjetër mënyrë bashkëpunimi me opozitën, që ka të bëjë me miratimin e ligjeve të qeverisë. Tani e tutje Kryeministri është i gatshëm t’i dërgojë paraprakisht opozitës të gjitha projektvendimet e përgatitura nga qeveria, para se ato të kalojnë për diskutim në mbledhjen e Këshillit të Ministrave. Kjo, me qëllim për t’i hapur rrugën miratimit të tyre më pas në sallën e Parlamentit. Sipas Berishës, gjithnjë nëse opozita e quan të drejtë këtë kërkesë të tij. "Mund të ndiqet edhe praktika e dërgimit paraprak të ligjeve te opozita, përpara se ato të vijnë në qeveri, por opozita preferon Parlamentin dhe komisionet parlamentare. Kjo është një kërkesë normale, pasi opozita ka zërin e saj në Parlament”, - tha z. Berisha. Duke folur për mënyrën e bashkëpunimit me opozitën, kreu i qeverisë rikonfirmoi dje se "mazhoranca është e gatshme të bashkëpunojë me opozitën për reformën në drejtësi", - pasi siç cilësoi Berisha, "reformimi i institucioneve të drejtësisë nuk ka asnjë lloj interesi partiak, përveç konsolidimit të shtetit ligjor". Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, kreu i qeverisë u ndal gjerësisht mbi një sërë projektligjesh të paraqitura dje nga Ministria e Drejtësisë, në kuadër të reformës në drejtësi dhe që janë 7 të tilla. "Këto janë ligje jashtëzakonisht të rëndësishme për reformën, ndaj do të jenë objekt i një debati të hapur në Parlament me opozitën. Parlamenti ka të drejtën t'i konsultojë sërish me grupet e interesit, ndonëse janë konsultuar në tërësinë e tyre. Konsultimi duhet të bëhet me grupet e vërteta të interesit dhe jo me ata që vetëdeklarohen grupe interesi për qëllime politike", - tha Kryeministri Berisha. Duke u ndalur te ligjet e paraqitura dje në qeveri, Kryeministri Berisha veçoi projektligjin për profesionet e lira. "Ne jemi zotuar si vendi i liberalizimit, kështu që profesionet e lira me këtë ligj do të bëhen vërtetë të lira. I tillë është profesioni i noterit, i cili do të kategorizohet në profesionet e liberalizuara", - tha Kryeministri, duke theksuar se pakënaqësia e noterëve mbi këtë projektligj ka qenë e paargumentuar. Një tjetër ligj shumë i rëndësishëm, për Kryeministrin Berisha, është ai për përmbarimin privat. Sipas tij, "ky sektor do të merret kryesisht në Ministrinë e Financave, në mënyrë që të mos bllokohet asnjë pagesë që kjo ministri detyrohet t'u bëjë të tjerëve". "Përmbarimi është një shërbim publik, por një seri vendesh kanë instaluar edhe një komponent privat dhe unë jam i bindur se po bëjmë një hap të mirë përpara", - tha Kryeministri Berisha. Kryeministri u ndal dhe te projektligji "Për ndihmën juridike", i cili sipas tij "mbush një vakum të vërtetë në këtë drejtim duke vendosur standarde evropiane në aksesin e qytetarëve në drejtësi". "Ky është një ligj i domosdoshëm me interes të madh për qytetarin shqiptar. Janë edhe disa ndryshime të tjera në Kodin e Procedurës Civile, të propozuara nga ministri i Drejtësisë, lidhur me ekzekutimin e Titujve Ekzekutivë, që qartësojnë, kthjellojnë dhe forcojnë këtë proces jashtëzakonisht të rëndësishëm për shtetin ligjor", - tha z. Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›