E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambasada zbardh axhendën e Berishës në Berlin



Kancelarja federale Merkel do të takohet me Kryeministrin Berisha në Berlin së shpejti, duke bërë realitet ftesën që i kishte bërë disa kohë më parë. Lajmin e konfirmoi dje ambasada gjermane në Tiranë e cila informoi se Kancelarja federale gjermane, Anxhela Merkel, do të presë më 8 tetor, në Berlin Kryeministrin shqiptar Berisha, në një ceremoni me nderime ushtarake në kancelarinë federale. Ambasada gjermane zbardhi axhendën e Kryeministrit shqiptar në Berlin, sipas së cilës pas ceremonisë së pritjes, do të zhvillohet një takim ku në qendër do të jenë kryesisht tema dypalëshe dhe rajonale. Veç kësaj, do të diskutohet dhe mbi anëtarësimin e pritshëm të Shqipërisë në NATO dhe bashkëpunimin e mëtejshëm me Bashkimin Evropian. Gjithashtu, Kryeministri Berisha do të takohet edhe me ministrin e Jashtëm federal, Shtajnmajer, si dhe do të zhvillojë biseda zyrtare në Ministrinë gjermane të Ekonomisë. Në këtë kontekst, do të luajë një rol të rëndësishëm dhe konferenca gjermano-shqiptare me përfaqësues të biznesit nga të dy vendet, e planifikuar të zhvillohet në Tiranë, në datat 20 - 22.10.2008. Në vijim të bisedave zyrtare, Kryeministri Berisha do të zhvillojë takime me përfaqësues të biznesit gjerman në Berlin dhe Esen. Vizita gjithashtu do t'i kushtohet dhe 20-vjetorit të bashkëpunimit për zhvillim gjermano-shqiptar. Asaj do t'i paraprijnë bisedimet qeveritare gjermano-shqiptare mbi vazhdimin e bashkëpunimit për zhvillim të cilat do të mbahen në Tiranë.

Splendiani: Projekte moderne tek QSUT-ja

Kryeministri Berisha priti dje guvernatorin e Klubeve Rotariane të Distriktit 2090 (Itali-Shqipëri), prof. dr. Giorgio Splendiani. Klubet rotariane të këtij distrikti prezantuan projektin për transplantin e lëkurës që mendohet të kryhet në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, në Tiranë, nën ekspertizën e mjekëve rotarianë, të specializuar për transplantin e lëkurës. Ky projekt do të zbatohet për herë të parë në të gjithë rajonin. Gjithashtu, klubet rotariane shprehën dëshirën për të mundësuar edhe trajtimin e fëmijëve me probleme në zemër. Kryeministri Berisha përgëzoi përfaqësuesit e Rotary Club për aktivitetet bamirëse dhe për projektin e transplantit të lëkurës që synojnë të realizojnë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, në Tiranë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›