E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masa ndëshkimore për kompanitë që s’paguajnë taksat

Qeveria propozon masa ndëshkimore për kompanitë që abuzojnë me mospagimin e taksave vendore, deri dhe me heqje të licencave. Kryeministri Sali Berisha u bëri dje thirrje përfaqësuesve të këtyre kompanive që të përmbushin detyrimet ligjore. Berisha i kërkoi Ministrisë së Ekonomisë dhe Ministrisë së Financave të verifikojnë përmbushjen e detyrimeve ndaj qeverive vendore të kompanive që operojnë në fushën e shfrytëzimit të pasurive natyrore. Duke ngritur këtë shqetësim në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, Kryeministri Berisha kërkoi përmbushjen e këtij detyrimi ligjor nga ana e këtyre kompanive. Në të kundërt, do të autorizohen qeveritë vendore t’u heqin të drejtën e aktivitetit. “Të gjitha instancat e Ministrisë së Ekonomisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave do të ushtrojnë kontrolle tek të gjitha subjektet (në fushën minerare) dhe do të heqin çdo licencë që nuk përmbush këtë detyrim”, - tha z. Berisha. Kryeministri ftoi kryetarët e komunave të informojnë ministritë përkatëse dhe Kryeministrin për të gjitha rastet kur nuk shlyejnë detyrimin ligjor, në mënyrë që kjo anomali të marrë fund. “Janë rreth 600 licenca për minierat dhe qindra të tjera për pyjet dhe pasuri të tjera dhe nuk kemi ndonjë rast që ata të kenë ndërtuar një kopsht apo shkollë për komunitetin”. Kryeministri Berisha e konsideroi të papranueshme që kompani që veprojnë në fushën e shfrytëzimit të pasurive natyrore në komuna të caktuara, nuk derdhin asnjë kontribut për komunitetin e tyre. “Kjo çështje është shqetësuese sepse pasuritë natyrore, përveç turizmit, janë vendosur në zona të varfra të cilat vazhdojnë të mos e ndiejnë ritmin e zhvillimit. Kjo është e papranueshme, sepse në vetë filozofinë e sotme, veçanërisht të minierave, një nga tri kushtet bazë është mirëkuptimi dhe bashkëpunimi me komunitetin dhe transparenca financiare e saj”, - tha kreu i qeverisë. Ai bëri të ditur se mjedisi dhe komuniteti janë kushte themelore dhe Shqipëria do të bashkohet me klubin e vendeve që i bashkohet, në kuadrin e Bankës Botërore, nismës së Toni Blerit dhe tani edhe e Kryeministrit Gordon Braun. Ai argumentoi se kjo çështje ngrihet me shqetësim edhe nga drejtuesit vendorë, duke theksuar se përmbushja e detyrimeve ndaj qeverisë vendore është edhe në funksion të krijimit të të ardhurave në shërbim të komunitetit. Duke marrë një shembull, Berisha tha se “gjatë një bisede me kryetarin e komunës së Martaneshit, ky i fundit më tha se në zonën e tij janë 40 galeri minierash dhe askush prej tyre nuk jep asnjë qindarkë për qeverisjen vendore. Ndaj duhet të vendoset me shpejtësi të madhe ligji, në të kundërt, do të autorizoj qeveritë vendore t’u heqin të drejtën për të prekur pasuritë e zonës çdokujt që nuk i përgjigjet detyrimit ndaj saj dhe komunitetit”. Kryeministri Berisha theksoi se ndarja e mëtejshme e të ardhurave me qeverinë vendore do të jetë një nga drejtimet themelore. “Me ministrin e Financave, - u shpreh Kryeministri, - kemi diskutuar që qeveria vendore të bëhet aksionere dhe do të realizohet, pavarësisht se pati një përplasje absurde politike, sepse opozita u kundërvu edhe për atë që kishin propozuar vetë. Por ndarja e mëtejshme e të ardhurave me qeverinë vendore duhet të jetë një nga drejtimet themelore”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›