Berisha: Luftën nacionalçlirimtare nuk e privatizon kush
Kryeministri Sali Berisha, pushtoi ekranet sot paradite, ndërsa u shfaq në një mbledhje qeverie pak pasi ishte shfaqur në një komitet ndërministror.
Berisha foli për vendimet e qeverisë, duke theksuar se në rend dite është projektligji për dëmshpërblimin e të përndjekurve. Një ditë më parë ishin deputetët e mazhorancës që vendosin të ulin moshën e përfituesve deri në 75 vjeç për burrat dhe 70 për gratë, duke rrëzuar kështu projektin e qeverisë. Ndërkohë Berisha ka gjetur momentin për të sulmuar sërish opozitën për këtë çështje. Protesta e PS se me këto ndryshime përfitojnë bashkëpunëtorët e okupacionit, është pa baza. Lufta çlirimtare është një trashëgimi e popullit shqiptar, përpjekja për ta privatizuar atë është qesharake, veçanërisht nga ata që nuk kanë kërkuar falje njëherë për atë që ka ndodhur në 45 vite. Ata që e përdorin këtë çështje dhe mendojnë se mund të kenë përfitime politike, bëhen qesharake. Ndaj dhe këto vendime i hapin rrugën një procesi që nuk do ketë të ndërprerë deri në ditën e shlyerjes së detyrimeve të shoqërisë shqiptare ndaj atyre, tha Berisha.
Nuk mund të mos mungonte në këtë mbledhje falënderimi për Vikto Orban, kryeministrin hungarez, për pritjen që i rezervoi Berishës. E mbyll këtë ekspoze duke shprehur mirënjohjen time më të thellë ndaj kryeministrit Viktor Orban për mikpritjen jashtëzakonisht miqësore, për ndjenjat miqësore që dëshmuan ndaj meje e shqiptarëve, tha Berisha. Ai theksoi se austrohungarezët mbështetën Ismail Qemalin për të shpallur pavarësinë e Shqipërisë. Siç bëri shpesh në Hungari, Berisha ka vlerësuar me nota shumë të larta mbretëreshën Geraldinë, e lindur në Budapest. Madje Berisha tha se Richard Nikson ka qenë kushëri i saj, i mbretëreshës Geraldinë.
Kryeministri foli për procedurat burokratike për biznesin. Ai mbrojti vendimin për uljen e ditëve për marrjen e një leje ndërtimi në Tiranë, duke thënë se për lejet e ndërtimit qytetarët e Tiranës folën qartë në maj.
Berisha tha se Shqipëria është si Gjermania, Zelanda e Re e Singapori me propozime e reja. Sa i përket marrjes së kredive, Berisha tha se ne jemi si SHBA. Për dokumentet e importit, Berisha tha se Shqipëria është si Franca. Kryeministri deklaroi se po punohet edhe për falimentimet, pasi është ngritur një agjenci për këtë çështje.
REGJISTRIMI I BIZNESIT
Numri i procedurave do të reduktohet nga 5 në 2
Kostoja e regjistrimit nga 112 lekë ulet në 100 leke
LEJET E NDERTIMIT, TIRANE
Numri i procedurave do të reduktohet nga 24 në 5
Kohëzgjatja për leje do të ulet nga 436 ditë në 35 ditë
FURNIZIMI, LIDHJA ME ENERGJI
Numri i procedurave reduktohet nga 6 në 4
Numri i ditëve nga 177 ulet në 45 ditë
Kostoja reduktohet afro 3 herë
REGJISTRIMI I PRONESISE
Numri i procedurave përgjysmohet nga 6 në 3
numri i ditëve për regjistrim reduktohet nga 33 ditë në 13
PAGESAT E TAKSAVE
Hiqet paga e referencës, ulet kontributi i punëdhënësit
Thjeshtohet/shkurtohet koha, kostot, procedurat përmes veprimeve online.
TREGTIA E JASHTME
Dokumentet për eksport do të reduktohen nga 7 në 3
Dokumentet për import reduktohen nga 8 në 4
Koha për eksportim reduktohet nga 19 ditë në 4 dite
Koha për import reduktohet nga 18 ditë në 3 ditë