Berisha: Mandati i ri, sistem i sigurt bankar
Katër vitet që vijnë, janë vitet e oportuniteteve të mëdha për sistemin bankar në Shqipëri.
Kryeministri Sali Berisha mori pjesë dje pasdite, në ceremoninë e 5-vjetorit të aktivitetit të Raiffeisen Bank në Shqipëri. Në këtë ceremoni ishin të pranishëm presidenti i Bordit Drejtues të Bordit të Raiffeisen Bank, dr. Herbert Stepic, drejtori i përgjithshëm i Raiffeisen Bank në Shqipëri, z.Oliver J. Whittle, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë z. Ardian Fullani, personalitete të institucioneve ndërkombëtare financiare në Shqipëri, përfaqësues të bankave dhe sipërmarrjeve të ndryshme në Shqipëri etj. Kryeministri Berisha siguroi se në katër vitet që vijnë, ndryshimet dhe zhvillimi në vend do të jetë 4 herë më i madh. Katër vitet që vijnë janë vitet e mundësive të mëdha për sistemin bankar në Shqipëri. Në këtë drejtim, Kryeministri përmendi hapat e ndërmarrë nga qeveria, veçanërisht në fushën e investimeve të mëdha në sistemin energjitik në vend, duke përmendur këtu se qeveria, gjatë vitit të fundit, ka firmosur mbi 5 miliardë euro investime në fusha të cilat janë më premtuese për tregun, kryesisht në fushën energjitike. Gjithashtu, Kryeministri tërhoqi vëmendjen për potencialin e jashtëzakonshëm turistik që ka Shqipëria, si dhe u fokusua në vëmendjen e qeverisë për zhvillimin e infrastrukturës rrugore në vend. “Kohërat e zgjedhjeve janë kohërat më të ngjeshura me aktivitete, por përvjetorët e tillë si ky i Raiffeisen Bank nuk mund të mos kenë përparësinë që meritojnë.
Raiffeisen Bank u shndërrua në një promotor të këtij transformimi të madh që Shqipëria ka pësuar gjatë këtyre viteve. Ajo ka shtrirë degët e saj në të katër anët e vendit, ka fituar një besim të madh tek biznesi dhe tek qytetarët shqiptarë, ka rritur në mënyrë të jashtëzakonshme produktet e saj, ofron shërbime të shkëlqyera qytetarëve dhe biznesit shqiptar”, - tha z. Berisha. Berisha vuri në dukje se qeveria e tij, gjatë vitit të fundit, ka firmosur mbi 5 miliardë euro investime në fusha të cilat janë më premtuese për tregun, kryesisht në fushën e energjisë elektrike. “Dje ne inauguruam fillimin e punimeve të hidrocentralit të Ashtës. Në 8 qershor, ne inaugurojmë fillimin e punimeve për projektin më të madh në Evropë në fushën e hidro-energjisë, kaskadën e Devollit, e cila ka një investim prej mbi 1 miliard eurosh. Por, krahas këtyre dy projekteve, janë edhe 102 hidrocentrale të tjera, kontratat e të cilave janë finalizuar dhe kanë filluar, po fillojnë dhe do të fillojnë ndërtimin, ndërkohë që 300 të tjera janë në studim e sipër të projekteve”.