E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vizat, vendet e BE-së kërkojnë 1 javë kohë



Diskutimi për liberalizimin e vizave me vendet e Ballkanit, ku bën pjesë edhe Shqipëria, pritet të nisë pas një jave, kjo pasi vendet e BE-së kërkuan më shumë kohë. Në mbledhjen e përfaqësuesve të vendeve anëtare për çështjet e Ballkanit, ende nuk është mbajtur ndonjë pozicion konkret. Në takim janë dëgjuar vlerësimet e Komisionit Evropian mbi kriteret që ka rritur çdo vend në Ballkan. Komisioni ka bërë me dije se raporti i dytë përmbledh qëndrimet e delegacioneve të cilat vizituan vendet e Ballkanit për të parë në terren realizimin e reformave. Kështu, vendet anëtare kanë kërkuar edhe një javë kohë për të dhënë një pozicion konkret në lidhje me liberalizimin e vizave me vendet e Ballkanit. Qeveritë e rajonit do të njihen me qëndrimet e shteteve anëtare të BE-së pas përpunimit të tyre nga Komisioni Evropian. Në një komunikim për shtyp, Zëvendëspresidenti i Komisionit, Jacques Barrot, shprehet se priten komentet e vendeve anëtare. “Priten me padurim komentet e vendeve anëtare, çfarë do të mundësonte më pas, në një afat kohor sa më të shkurtër që të ishte e mundur, që t’i paraqitej një propozim Kolegjit të Komisionerëve për të hequr detyrimin për viza ndaj qytetarëve të një apo disa vendeve që përmbushin kriteret e udhërrëfyesit”, - thuhet në këtë deklaratë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›