E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ-ja miraton listat e PS-së dhe 8 partive të tjera



Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi dje listat e kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste si dhe 8 forcave të tjera politike. Lista e PS-së ishte tërhequr, pasi nuk kishte plotësuar kriterin e 30-përqindëshit për gratë në qarkun e Lezhës. PS, ndonëse qarku nxjerr vetëm 7 deputetë, dorëzoi 8 emra për këtë qark për të plotësuar kriterin me argumentin se ligji zgjedhor nuk e pengon. Linda Frroku do të jetë e teta në listën e kandidatëve të PS-së për këtë qark, ndonëse janë vetëm 7 mandate në këtë qark. Njëkohësisht dje u miratuan listat e partive Balli Kombëtar Demokrat, Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Partisë Bashkimi Liberal Demokrat, Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Lidhjes Demokristiane, Partisë Konservatore, Partisë Aleanca Maqedonase për Integrim dhe Partisë Demokracia Sociale. Sot në mbledhjen e radhës, KQZ-ja pritet të miratojë edhe listat e rreth 22 partive politike, të cilat kishin pasur mangësi teknike në listat shumemërore të kandidatëve për deputetë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›