E Diel, 1 Nëntor 2026

Financat e partive kryesore, monitorim nga shoqëria civile



Financat e 5 partive kryesore në vend, PD, PS, LSI, PR dhe G99, do të monitorohen nga disa organizata jofitimprurëse, të cilat shpallën dje nismën e tyre. Me qëllimin për të ndihmuar në rritjen e transparencës në financimin jopublik të subjekteve politike, me mbështetjen e NED (National Endowment for Democracy) dhe Fondacionit te Shoqërisë së Hapur për Shqipërinë – Soros, organizatat Forumi i Mendimit të Lirë dhe Instituti për Kërkime dhe Alternativa Zhvillimi (IDRA) kanë ndërmarrë një nismë për të monitoruar shpenzimet e pesë partive politike, që zotërojnë tregun më të madh politik. Zgjedhja e partive politike që do të monitorohen është bazuar në sondazhet e fundit. Ky projekt kryhet për herë të parë dhe monitoron reklamat publike, televizive si dhe tubimet elektorale. Gjatë këtij studimi do të përdoren metoda të ndryshme monitorimi, përfshi dhe ato investigative, për të dokumentuar shpenzimet elektorale të partive politike. Këto të dhëna, në fund do të bashkohen dhe do të krahasohen me fondet që partitë deklarojnë se kanë përfituar nga buxheti i shtetit dhe donatorët privatë. Objektivi i këtij studimi nuk është vetëm të identifikojë shumat reale që këto parti politike shpenzojnë, por edhe të krijojë një presion publik mbi politikën dhe strukturat shtetërore që të ketë një rregullim dhe monitorim më të saktë të financimit të partive politike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›