E Shtunë, 31 Tetor 2026

Listat, Ristani: Vendorët, afat deri të shtunën



Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, u bëri thirrje kryetarëve të komunave dhe bashkive që nuk kanë dërguar ende listat e zgjedhësve në KQZ, se dita e shtunë, 30 maj, është afati i fundit. “Në rast të kundërt, - tha Ristani, - kryetarët vendorë do të dërgohen për ndjekje penale”. “Gjej rastin t'u kujtoj dhe zyrave të gjendjes civile se ky proces duhet të përmbyllet, maksimumi deri të ditën e shtunë, në të kundërt do të vendosim në shumë vështirësi procesin zgjedhor lidhur me prodhimin e fletëve të votimit”, - apeloi Ristani. Mungesa e listave do të bënte të mundur një proces të vështirë. Ristani risolli në vëmendje gjobitjen e 77 kryetarëve të komunave dhe bashkive për përvojën jo të mirë lidhur me listat paraprake, duke i penalizuar me gjobë nga gjysmë milioni lekë. “Njësitë e qeverisjes vendore kanë për detyrë të sjellin në KQZ listat përfundimtare të zgjedhësve. Sipas ligjit, ato duhet të sjellin pranë Komisionit numrin e zgjedhësve për çdo qendër votimi, numrin e çdo qendre votimi dhe vendndodhjen e çdo qendre votimi. Ne sot jemi në prag të përfundimit të këtij procesi dhe akoma nga njësitë vendore nuk ka ardhur një e dhënë e tillë”, - tha Ristani duke përsëritur se data 30 maj është afati i fundit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›