E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Mandati i tretë, Shqipëria e zhvilluar

12-01-2012 / Gazeta 55

Kryeministri rrëfen në ABCNews ambicien e mazhorancës për një mandat të tretë qeverisës, pasi ai do të ishte vendimtar për arritjen e një Shqipërie të zhvilluar, një vendi që do shihte me shpresë të ardhmen, si i barabartë me vendet e BE-së

Deklaratat e forta të intervistës
“Lufta e Presidentit me mazhorancën si një luftë me mullinjtë e erës”
“21 janari, tentativë për marrjen e pushtetit me dhunë, e pa e gjithë bota”
“Sistemi zgjedhor nuk ndryshon – s’mund ta ndryshojmë kushtetutën çdo 3-4 vjet”

Kreu i qeverisë Berisha e cilëson zgjedhjen e presidentit si një proces të bazuar tërësisht në Kushtetutë, ndërsa theksoi se “respekti për Kushtetutën është absolut”.
“Presidenti i ri do zgjidhet sipas Kushtetutës. Ne respektojmë mendimet e ambasadorëve, por respekti im për Kushtetutën e vendit është absolut. Procesi do jetë tërësisht Kushtetues dhe presidenti i ardhshëm do të jetë figurë politike”, u shpreh Berisha.
Sipas shefit të mazhorancës presidenti i ri do jetë një figurë me integritet profesional, ku respektimi i Kushtetutës, do jetë qëllimi primar në punën e tij.
“Nuk do jetë atje as për të shkruar romane, as për të luajtur futboll, por për të respektuar Kushtetutën e vendit. Presidenti do jetë me integritet. Përpjekjet me artificialitete nuk kanë ecur në asnjë rast”, tha kryeministri.
Lidhur me një konsensus të mundshëm me PS-në, Berisha tha se ashtu siç mazhoranca pranoi kandidaturën e opozitës për Avokatin e Popullit, edhe PS të pranojë kandidatin që po propozohet nga shumica, për presidentin e vendit.
“Për Avokatin e Popullit kam deklaruar se do pranoj çdo kandidat të opozitës. Të paktën 4 persona kanë ardhur në zyrën time dhe më kanë kërkuar që, ‘a jeni ju dakord që unë të jem Avokat i Popullit?’. Dhe unë kam pasur vetëm një përgjigje se, ‘do pranoj çdo kandidat të Partisë Socialiste’. A është i gatshëm të thotë Edi Rama se mbështes çdo kandidat të PD për President? Këtë e di vetëm Rama. Ai nuk solli asnjë nga ata që erdhën në zyrën time, për Avokat të Popullit. Totozani erdhi me vullnetin e Edi Ramës dhe kjo është e qartë, padyshim - ne e votuam dhe mori 127 vota. Pse e pranova? E pranova për hir të konsensusit, pasi po të kisha 84 vota, z.Rama do t’i ofroheshin 3-4 kandidatura. Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, është konsensual, ashtu sikurse dhe anëtarët si Subashi dhe të tjerët. Për Avokatin e Popullit, opozitës i është kërkuar të sjellë kandidatin dhe ne do ta votojmë. A i është i gatshëm Edi Rama të mbështesë kandidaturën tonë për Presidentin e Republikës? Pavarësisht, presidenti i ardhshëm do zgjidhet sipas kushtetutës”, tha Berisha.
Për kreun e qeverisë, presidenti duhet të jetë njeri kushtetues, pasi siç tha ai, “nëse presidenti i vë vetes detyrë të luftojë mazhorancën, ai bën një luftë me mullinjtë e erës”. Ndërsa akuzoi presidentin në detyrë, Bamir Topi, se ka nëpërkëmbur institucionin e Presidencës, duke e përdorur atë për betejë politike.
“Detyrë e Presidentit është të negociojë dhe të përpiqet të gjejë ekuilibrat midis palëve. Presidenti detyrimit duhet të negociojë me Parlamentin për emërimet në sistemin e drejtësisë. Kjo Kushtetutë ia jep funksionet e drejtësisë, të gjitha Presidentit. Në emër të Kushtetutës, Presidenti duhet të zhvillojë negociata me legjislativin. Presidenti është në 6 muajt e fundit dhe nuk më duket e fisshme qëndrimi që mban në media. Institucioni Kushtetues, është i rëndësishëm për çdo qytetar. Nëse e bën të paqenë, de facto politikisht e asgjësojnë. Unë jam për respektimin e institucionit të Presidencës. Që nga dita që është ulur në atë karrige, Bamir Topi hoqi dorë nga çdo lloj bashkëpunimi me parlamentin. Unë prisja të ishte negociator dhe nuk duhet të mendonte se do të shtynte duke iu kundërvënë mazhorancës. Hoqi dorë nga zgjidhja negociuese. Por cili është rezultati? Nëse kuptohet se Presidenti është në atë vend, për të bllokuar veten e tij, (se unë mund të bëj pa mazhorancën), atëherë ky është problem tjetër. Ai përdori pushtetin për bllokim. Pushteti nuk është për t’u bllokuar, pushteti është për t’u ushtruar”, deklaroi Berisha.
Kryeministri tha se PD do ketë kandidatin e saj për Presidentin e Republikës, emri i të cilit do zyrtarizohet sapo të çelet gara.
“PD ka disa drejtues të shkëlqyer, jo një por 3-4. Kandidatura do të zyrtarizohet sapo të hapet gara, tha Berisha, duke mos pranuar lakimin e emrave konkretet, pasi siç tha ai nuk është e fisshme në një kohë kur presidenti në detyrë ka edhe 6 muaj nga përfundimi i mandatit të tij”. Berisha mohoi çdo mundësi kandidimi të tij për Presidentin e Republikës, duke deklaruar se është në krye të Qeverisë dhe premtimet e tij politike drejt qeverisjes së vendit, janë objektive largpamëse dhe afatgjatë, të paktën deri në vitin 2017.

“Koalicioni, i suksesshëm, mandatin e tretë Shqipëria vend i zhvilluar”

“Arritjet madhore të mandatit qeverisës, janë fryt i këtij koalicioni. Duhet të theksoj këtu që është në karakterin tim, në natyrën time, të ruaj luajalitet të plotë me anëtarët e koalicionit. Ky koalicion ka funksionar pa asnjë problem madhor. Nëse socialistët në 8 vjet ndërruan 74 ministra, kjo është praktikë e shndërrimit të qeverisë në arenë tregu. Cilido që ta kapësh prej tyre, të del ish ministër. Edhe unë kam ndërruar ministra, por gjithnjë mbi bazën e një arsyetimi të qëndrueshëm. Unë do punoj që çdo shqiptar të bindet për të votëbesuar këtë mazhorancë edhe për një mandat tjetër. Mandatin e tretë Shqipëria do jetë vend i zhvilluar. Shqiptarët besojnë te kjo qeveri dhe te kjo mazhorancë. Infrastruktura po kompletohet. Dhe në çdo fusha zhvillimi është i prekshëm”.

“21 janari, tentativë për marrjen e pushtetit me dhunë, e pa e gjithë bota”

Në një kohë kur Partia Socialiste ka paralajmëruar organizimin e një tubimi - homazh në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, për 4 viktimat e demonstratës së dhunshme të 21 janarit, kryeministri Sali Berisha tha dje se, protesta e opozitës ishte e dhunshme, me qëllim marrjen e pushtetit. Për kryeministrin, demonstrata e një viti më parë tentoi rrëzimin e rendit demokratik dhe pamjet e asaj dite janë në sytë e gjithë botës.
“21 janari ishte tentativa për të marrë pushtetin me dhunë. Skenar i zhvilluar në sytë e gjithë botës. Kryeministri u rrethua për orë të tëra dhe u përdorën forma nga më të ndryshme të dhunës. Ka një zinxhirë faktesh për këtë”, u shpreh Berisha.
Ai theksoi se shqiptarët e dënuan njëzëri protestën e dhunshme, me votën e tyre vetëm pak muaj më pas, më 8 maj. “Shqiptarët folën politikisht më 8 maj. Ndërsa drejtësia duhet të thotë fjalën e saj. Verdikti shqiptar bëri që të nxirren mësime të rëndësishme”, tha kryeministri.

“Reforma zgjedhore, sistemi nuk ndryshon”

Kryeministri deklaroi dje se zgjedhjet parlamentare të vitit 2013-ë do zhvillohen njësoj si në vitin 2009-ë, me sistemin zgjedhor proporcional – rajonal.
Sipas Berishës, pavarësisht diskutimeve për Kodin, sistemi zgjedhor nuk do ndryshojë, ndërsa për partitë e vogla sugjeroi integrimin në koalicione politike me të mëdhenjtë.
“Sistemi zgjedhor nuk do të ndryshohet. Sistemi që kemi, do ta quajë një meritë të përbashkët me PS. Ne bëmë një sistem që përjashton disa pasoja të kontekstit gjeografik. Të gjitha zonat e vendit kanë spektrin e tyre politik. Nuk ka gjë më jo serioze se të ndryshoh Kushtetutën çdo 3-4 vjet. Kushtetuta shqiptare është një kushtetutë thellësisht demokratike. Për partitë e vogla, mund të them se ato janë në koalicione, kanë të drejtën e tyre të zgjedhin koalicionet politike”, tha ai.
Duke u ndalur te formati i KQZ-së, kryesisht përbërja e saj me njerëz të drejtësisë, Berisha tha se Rama akuzon çdo ditë gjyqtarët.
“Çdo ditë opozita sulmon gjykatësit. Si mund të pranojë që formati i KQZ-së të përbëhet me njerëz të drejtësisë?”, tha kryeministri.
Ai vlerësoi se ndryshe nga një vit më parë, aktualisht, situata është në kushtet e një normaliteti demokratik si dhe ka një raport të OSBE/ODIHR për zgjedhjet dhe të dyja palët po shkojnë drejt bashkëpunimit në reformën zgjedhore.
“Nëse opozita do që ta shkruajë reformën zgjedhore, të konsultohet me Komisionin e Venecias dhe mazhoranca do ta votojë pa kushte. Opozita nuk e bën këtë. Pse nuk e bën? Sepse opozita është në fazën e ‘Kurbanit’. E bëri Islamin ‘Kurban’”, tha më tej Berisha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›