Shitja politike e tabulateve të përgjimeve

Në çdo shtet, në emër të mbrojtjes së ligjit, sigurisë kombëtare, njihet e drejta e përgjimit të telefonatave sipas argumenteve dhe provave që merren në konsideratë nga institucione kushtetuese. Kjo gjë ndodh edhe në vendin tonë. Dhe përgjithësisht, nga përgjimet, kur ato janë të ndershme, të drejta dhe ligjore, vijnë rezultate të mira për shoqërinë. Në praktikën e punës së shtetit shqiptar, po të përjashtosh periudhën e Sigurimit, në përgjithësi është treguar maturi dhe pjekuri në këto 20 vjet. Por, në kushtet e rolit të presidentit Topi, të prokurores Rama dhe ndonjë bashkëpunëtori tjetër të tyre, i cili mendon se është i padukshëm dhe i palexueshëm, problemi i tabulateve të përgjimit është shndërruar në një aferë politike, përmes shitjes së tyre. Kjo temë meriton një vëmendje nga Kuvendi i Shqipërisë, i cili do të bënte mirë të ngrinte një komision, për të studiuar, vlerësuar, analizuar kërkesat e ligjshme e të paligjshme për përgjimet, dhe sidomos për shitjen e tabulateve të përgjimit, si shërbim drejtpërsëdrejti ndaj PS, interesave të saj e të Edi Ramës personalisht. Duke piketuar individë me frekuencë të fortë publike dhe luftëtarë të rreshtit të parë kundër manipulimit opozitar, ata, pasi kanë bërë motivime me paterica për përgjim, i shesin këto tekste të dëgjuara dhe i vënë në gojë të opozitës, të shtypit të tyre, të deputetëve të veçantë ose në gojë të ndonjë gjeneratori ligësie që u shërben haptas interesave anti-euroatlantike me një fjalë. Këto tabulate u shpërndahen për përdorim fabrikës industriale që prodhon shpifje antiqeveritare, antikoalicion. Sigurisht, asnjë fajtor, në çastin që e kryen krimin nuk mendon se do të japë llogari një ditë për këtë, por janë tashmë të identifikuara temat, çështjet, të cilat janë shitur dhe përdoren në mënyrë abuzive nga Edi Rama dhe njerëzit e tij. Ky është shërbimi klasik dhe shndërrimi klasik ndaj një partie që bëjnë institucionet kushtetuese. Tashmë janë krejt të sakta e të identifikuara, madje të rreshtuara, me data dhe me orë, me emra dhe me çështje, se si ato dhe prej kujt kalohen tek opozita. Kjo ishte një praktikë gati masive gjatë zgjedhjeve, por vazhdon edhe tani, shpesh duke u marrë nëpër tavolinat e klubeve miqësore, brenda dhe jashtë vendit, ku ksehasen zotërinjtë që mendojnë se janë të pagjykueshëm. Mund t’ju kujtojmë se Kenan Evreni e bëri grushtin e shtetit në 1980 dhe është duke u gjykuar këto ditë dhe për të po kërkohet burg i përjetshëm.
Organizatorët e grushtit të shtetit të 21 janarit janë të zbërthyer deri në detajet më të vogla sot dhe sa më pak të flitet për këtë, zotërinjtë të mos e mendojnë si harresë, por si një pritje për kushtetueshmëri dinjitoze. Dhe do t’u kthehen tabulatet e shitura! Sigurisht, kjo bëhet që të mos hyhet në shpellën e Ali Babë Ramës me 40 hajdutë. Por siç dihet, edhe shpellës iu gjet sekreti për të hyrë.