E Diel, 1 Nëntor 2026

ODIHR në pritje të KQZ-së për akreditimin e vëzhguesve

 

Misioni i vëzhguesve të ODIHR depoziton kërkesën zyrtare për akreditimin e vëzhguesve të huaj, afatgjatë për ndjekjen nga afër të procesit të zgjedhor të 28 qershorit. Prej dy ditësh misioni i ODIHR ka depozituar zyrtarisht kërkesën për të akredituar pranë KQZ-së emrat e vëzhguesve afatgjatë, të cilët duhet të ndjekin nga afër procesin e përgatitjes së KQZ-së për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. ODIHR kërkon që të akreditojë 26 vëzhgues afatgjatë, të cilët më pas do të shpërndahen nëpër rrethet e tjera të Shqipërisë, për të ndjekur nga afër procesin pranë Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor. Zëdhënësi i KQZ-së, Leonard Olli në lidhje me këtë kërkesë bën të ditur se “të hënën në mbrëmje misioni i ODIHR ka depozituar listën me emrat e vëzhguesve afatgjatë. Në bazë të ligjit, KQZ ka pesë ditë afat për të shqyrtuar emrat e paraqitur për të shikuar nëse janë konform ligjit, Kodit Zgjedhor”. Në bazë të udhëzimit numër 13 për vëzhguesit janë përcaktuar rregullat e qarta për mënyrën e akreditimit. “Subjektet e përcaktuara në këtë udhëzim, që kërkojnë të vëzhgojnë zgjedhjet duhet të paraqesin pranë KQZ-së dokumentacionin si më poshtë: a.    kërkesë nga drejtuesi apo përfaqësuesi i subjektit, që kërkon të vëzhgojë procesin zgjedhor, e cila duhet të përmbajë : adresën ; numrin e telefonit; informacione të tjera për kontaktim; b. vërtetimin e regjistrimit në gjykatë ose në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe/ose ftesën përkatëse; c. lista të veçanta për: vëzhguesit afatgjatë; vëzhguesit afatshkurtër dhe përkthyesit e propozuar. Kërkesa për akreditim dhe listat e vëzhguesve sipas pikës c paraqiten me shkrim”, thuhet në pikën 4 të këtij udhëzimi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›