E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha, Mantica: Italia, e angazhuar për Ballkanin në BE

Italia përkrah zgjerimin e BE-së edhe me vendet e Ballkanit. Kryeministri Berisha takon zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Republikës Italiane, Senatorin Alfredo Mantica. Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Republikës Italiane, senatori Alfredo Mantica, i përcolli Kryeministrit Berisha përshëndetjet e Kryeministrit italian Silvio Berlusconi si dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Italisë, z.Franco Frattini, si dhe i shprehu edhe një herë kënaqësinë për marrjen e ftesës dhe nënshkrimin e Protokollit të Anëtarësimit në NATO. Biseda u përqendrua në procesin e zgjerimit të BE-së pas Referendumit të Irlandës, lidhur me të cilin senatori Alfredo Mantica theksoi se pavarësisht zhvillimeve të fundit në Irlandë, qeveria italiane do të mbështesë fuqimisht integrimin e Shqipërisë dhe mbarë vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE dhe se ky integrim është në interesin e ndërsjellë të Ballkanit dhe Evropës. Lidhur me këtë ai shtoi se Italia do të angazhohet që Ballkani, rajon i cili është pjesë e Evropës, t’i kthehet kontinentit të cilit i përket. Kryeministri Berisha shtoi mbi këtë çështje se 94% e shqiptarëve janë pro Shqipërisë në BE dhe se e gjithë kjo energji pozitive e tyre si dhe e popujve të tjerë të rajonit duhet të shkojë në shërbim të progresit dhe modernizimit të demokracive në këto vende dhe sigurisht të mos dekurajohet nga një përjashtim.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›