E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ceka: Jam i hapur për oferta nga Berisha

PAD-ja e Neritan Cekës duket më afër se kurrë pjesë e mazhorancës qeverisëse.

Lajmi nuk mohet as nga vetë kreu i Partisë Aleanca Demokratike Neritan Ceka.

Kjo u duk edhe në seancën e fundit parlamentare kur pas një lumi akuzash në adresë të Kryetares së Kuvendit, kreu i PAD-së Ceka mbrojti qëndrimin e saj. Kryetari i kësaj force, Neritan Ceka, nuk e mohoi dje një variant të tillë, madje u deklarua i hapur ndaj çdo lloj oferte, pavarësisht krahëve politikë. Për ish-demokratin e vjetër, “ekzistenca e partisë që drejton rrezikohet gjithnjë e më shumë nga politika e fshehtë e të mëdhenjve, me të cilët nuk mund të bëjë gjë tjetër veçse të bashkohet. Kryealeancisti deklaroi se pavarësisht linjës së të majtës, ka qenë ndër të vetmit që ka mbështetur kreun e qeverisë në nismat që shpesh janë konsideruar absurde nga pjesa tjetër opozitare. Ndërsa për sa i përket Topallit, zërat kundër të cilës kanë qenë dhe nga brenda vetë mazhorancës, Ceka e cilësoi si një diplomate të suksesshme.

Qëndrimin e Topallit Ceka e ka lavdëruar në seancën e fundit të sesionit parlamentar. “Ju përshëndes dhe ju uroj për vizitën e shkëlqyer që bëtë në Itali; ju uroj aktivitet të gjatë në këtë drejtim për diplomacinë parlamentare. Me të vërtetë keni treguar jo vetëm një iniciativë, por edhe aftësi diplomatike, veçanërisht për vizitën e pasqyruar edhe në televizionin tonë. Nuk ishte vetëm reklamë, por ishte realitet. Do të shpresoja që këtë qëndrim elegant ta keni edhe kundrejt zotërinjve shqiptarë dhe jo vetëm zotërinjve italianë, që po e shohin me një farë zilie fjalimin tim”, - u shpreh Ceka.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›