Qeveria; Pension shtese për Dritëro Agollin
Shkrimtari dhe politikani i njohur Dritëro Agolli do të marrë pension shtesë. Vendimi u mor dje në mbledhjen e radhës së Këshillit të Ministrave ku përcaktohet qartë se shkrimtarit të njohur i jepet shtesë pensioni i posaçëm shtetëror. Kështu, qeveria ka vendosur të vlerësojë me pension shtesë një figurë të njohur të së majtës. Dy javë më parë i njëjti vendim u mor edhe për shkrimtarin dhe politikanin e njohur të së djathtës Sabri Godo. Pak orë pasi u mor vendimi në Këshillin e Ministrave “standard” mundi të kontaktonte me bashkëshorten e shkrimtarit, Sadije Agolli, e cila pohoi: “Nuk jam në dijeni të këtij vendimi dhe sapo e morra vesh ju po ma thoni”. Duke mos e mohuar kënaqësinë nga ky vendim, znj. Agolli pohoi që nga Tushemishti i Pogradecit ku familja po pushon se shkrimtari dhe politikani i njohur përfiton pension edhe nga Akademia e Shkencave dhe pension duke llogaritur rrogën si ish-deputet i Kuvendit. Në vendimin e publikuar nga qeveria thuhet se në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 5 të ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave i jep pension shtesë z. Dritëro Agolli. Por më tej përcaktohet se shuma e pensionit që i takon sipas ligjit, plus këtë shtesë, të mos kalojë dyfishin e pensionin maksimal. “Këshilli i Ministrave vendosi dhënien shtesë pensioni të posaçëm shtetëror z.Dritëro Agolli, në masën e pensionit maksimal, por shuma e pensionit që i takon sipas ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, plus këtë shtesë të mos kalojë dyfishin e pensionit maksimal”, - thuhet në vendim. Dy javë më parë nga një vendim tillë përfitoi edhe shkrimtari dhe politikani Sabri Godo. Edhe ky i fundit i kontaktuar nga gazeta shprehu mirënjohjen për këtë vendim të Këshillit të Ministrave. Ndërsa në harkun kohor të dy javëve Kryeministri Berisha ka zgjedhur dy figura të njohura dhe mjaft të spikatura pa bërë dallime partiake për t’u dhënë një pension shtesë. Agolli është tërhequr disi nga jeta politike gjatë viteve të fundit megjithatë ai është një ndjekës i vëmendshëm i zhvillimeve të saj e sidomos i zhvillimeve brenda selisë rozë. Si ish-deputet i kësaj partie, Agolli ka marrë statusin e “babait të socialistëve”, ndaj qëndrimet e tij herë pas here kanë marrë frymën e kritikave ndaj lidershipit socialist.