E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama justifikon humbjen në Kashar: Ishte garë lokale

I ndodhur nën trysninë dhe pakënaqësitë e shprehur brenda partisë për humbjen në Kashar, por edhe nga deklarimet e rivalëve të tij politikë, kryetari i PS-së, Edi Rama theu dje heshtjen, duke i konsideruar zgjedhjet në Kashar një garë modeste mes katër individëve dhe jo katër partive politike.

Rama ka dhënë një përgjigje edhe për Kryeministrin dhe ish-aleatin e tij Meta, të cilët e kanë konsideruar sukses renditjen e këtyre dy partive në zgjedhjet e pjesshme lokale. Kreu i PS-së është munduar të justifikojë renditjen e PS-së e katërta në këto zgjedhje si një garë lokale që nuk tregon asgjë, madje sipas tij, treguesit e vërtetë do të jenë në zgjedhjet e 2009-ës.

Tri ditët e fundit nuk kanë qenë aspak të qeta për kryetarin e selisë rozë. Pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve të pjesshme në komunën e Kasharit, renditja e kandidatit të PS-së në vendin e katërt shokoi të gjithë socialistët.

Edhe pse dy krerët e grupit parlamentar e pranuan humbjen, komentet mbi të kanë detyruar kreun e PS-së që të sqarojë vetë personalisht si zgjedhësit, anëtarësinë dhe gjithë opinionin publik për rezultatin. Por nëse për Kryeministrin janë përsëritur akuzat e përhershme si në çdo garë zgjedhore që PS-ja ka humbur në këto tre vitet e fundit, këtë herë kambanat e sulmit të Ramës ishin për kreun e LSI-së, Ilir Meta. Duke u renditur e dyta në këtë garë, LSI-ja e ka përshëndetur fitoren, madje ka shkuar më tej, duke deklaruar se zgjedhjet në Kashar treguan se LSI-ja realisht është forca e parë brenda së majtës. “Të dalësh e të thuash se renditja në këtë garë individuale, mes katër banorëve të Kasharit, që konkurruan brenda komunitetit të tyre dhe jashtë kalendarit apo temave të ballafaqimit politik të vendit, na qenka pasqyra e sotme e renditjes së partive shqiptare në nivel kombëtar, do të thotë të mos kesh asnjë respekt, jo vetëm për të vërtetën e për publikun, po edhe për veten”, - deklaroi Rama. Duke konsideruar si të nxituara qëndrimet e Berishës dhe të Metës lidhur me zgjedhjet në Kashar, Rama kujtoi se zgjedhjet e 2009-ës do të jenë gara e vërtetë. “Kam keqardhje për pompozitetin e kotë me të cilin Kryeministri Sali Berisha dhe miku ynë, Ilir Meta, rendën të nxjerrin konkluzione triumfale nga një garë më shumë sesa modeste, e zhvilluar krejt në periferi të jetës politike të vendit. Madje qoftë Kryeministri qoftë ish-Kryeministri u ngutën të lajnë me Partinë Socialiste hesape, që pa asnjë dyshim do t'i bëjmë, por vetëm në kohën e në vendin e duhur: Në vitin 2009, në të gjithë Shqipërinë”, - duke shtuar më tej se “Kashari nuk ishte kurrfarë testi për forcat politike shqiptare, por një garë lokale, mes katër individësh të respektuar të një komuniteti, të cilët ndanë mes tyre 7200 vota për të plotësuar vendin bosh të kreut të komunës”. Renditjen në vend të katërt të PS-së e ka komentuar edhe ish-kryetari i PS-së Fatos Nano, i cili në një mesazh dhënë mbështetësve të tij është shprehur: “Ia lamë partinë të dytën dhe e çoi të katërtën”. Ndërsa ish-deputeti i PS-së Petro Koçi është shprehur se zgjedhjet në Kashar treguan se politika e Ramës është e dështuar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›