E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Qeveria, asnjë vendim për ndryshimin e emrit



Universiteti i Vlorës duket se do të vazhdojë të mbajë emrin e shtetformuesit të parë shqiptar, Ismail Qemali. Këtë ka lënë të kuptohet dje Kryeministri i vendit, Sali Berisha, për tentativat që po bëhen lidhur me ndryshimin e emrit të këtij universiteti. Kjo dhe për faktin se atributi për emërtim apo ndryshimin e emrave të universiteteve e ka vetëm Këshilli i Ministrave, gjë që deri tani qeveria nuk ka marrë asnjë vendim për tjetërsimin e emrit. Nga qyteti i Durrësit, ku Berisha ishte i pranishëm në mbledhjen e parë të Këshillit të Fakultetit të Studimeve të Integruara me Praktikën (FASTIP), në Universitetin “Aleksandër Moisiu”, ai bëri të qartë se qeveria e tij nuk do të marrë vendim për ndryshimin e emrit që mban Universiteti i Vlorës, "Ismail Qemali". Kryeministri duke iu përgjigjur të interesit të medias, tha se Këshilli i Ministrave nuk do të ndërhyjë në çështjen e ndryshimit të emërtimit të Universitetit “Ismail Qemali”, në Vlorë. Ai pohoi: “Këshilli i Ministrave nuk ka marrë asnjë vendim dhe nuk ka ndërmend të marrë një vendim të tillë. Një fakt është, dhe këtë shqetësim ma kanë ngritur dhe qarqet akademike, që të gjitha universitetet janë emërtuar me personalitete. Kjo ka qenë dhe është dëshmi e një respekti i madh ndaj tyre. Ismail Qemali është themeluesi i këtij shteti dhe po të ishte se universitetet do të emërtoheshin me personalitetet, ai renditet i pari në listë”, - deklaroi z.Berisha. Por sipas tij, qeveria nuk do të ndërhyjë në këtë çështje. Kryeministri evidentoi faktin se kjo është një çështje për të cilën më vonë edhe mund të ketë një debat të qetë. “Ndërkohë, ne jemi një vend i lirë dhe unë nuk mund të them edhe që qeveria duhet t’u imponojë emrat universiteteve. Ne nuk do të ndikojmë në vendimmarrjen e tyre”, - u shpreh Kryeministri Berisha. Vendimi i senatit të Universitetit të Vlorës për heqjen e emrit të Ismal Qemalit ka shkaktuar reagimin e fortë të qarqeve politike dhe akademike në vend që e cilësojnë si absurd dhe kundërshtim me rregulloren e një vendimi të tillë. Sipas rregullores për emërtimin e universiteteve në vend, atributi për emërtim apo ndryshimin e tyre e ka vetëm Këshilli i Ministrave. Pak ditë më parë, me një votim me 8 vota pro dhe 6 kundër, senati i Universitetit të Vlorës vendosi që të hiqte emrin e Ismail Qemalit nga ky institucion arsimor me pretendimin se njeriu që formoi shtetin e parë shqiptar nuk ka kontribute në arsim. Por tentativa e senatit të Universitetit të Vlorës për t’i hequr atij emrin "Ismail Qemali", ka bashkuar, pavarësisht divergjencave të kohëve të fundit, opozitën dhe mazhorancën. Deputetët e Vlorës, Arben Malaj dhe Bujar Leskaj, kanë kundërshtuar ashpër nismën e rektorit Tanush Shaska, duke e quajtur atë një gafë të pamenduar, ndoshta dhe të qëllimtë. Por sipas deputetit demokrat, Leskaj, kjo nuk do t’i kapërcejë kufijtë e senatit të universitetit, pasi qeveria nuk ka ndërmend të përkrahë një vendim kaq absurd.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›