Landsman: Vlerësojmë reformat politike për integrim
Britania e Madhe vlerëson reformat politike që ka ndërmarrë qeveria në funksion të integrimit euro-atlantik. Kryeministri Berisha priti dje z.David Landsman, drejtor politik për Ballkanin në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe. Kryeministri i bëri me dije z.Landsman reformat e gjithanshme të ndërmarra nga qeveria shqiptare dhe arritjet e tyre, në veçanti në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve, reformat për të luftuar korrupsionin, duke rritur transparencën, thjeshtëzuar e dixhitalizuar procedurat administrative, reformat për konsolidimin e shtetit ligjor, zhvillimin me ritme të shpejta të ekonomisë dhe lehtësimin e barrës burokratike për biznesin dhe krijimin e klimës më të favorshme për investime etj. Z.Landsman i shprehu Kryeministrit Berisha vlerësimin e tij për reformat dhe arritjet e qeverisë shqiptare, në veçanti për sa i përket reformave politike në funksion të integrimit euroatlantik, sikundër i konsideroi mbresëlënëse arritjet në reformat për zhvillimin ekonomik të vendit, luftën kundër krimit e korrupsionit etj. Drejtori Landsman shprehu përkrahjen e plote të Britanisë së Madhe për proceset e anëtarësimit te Shqipërisë në NATO dhe integrimit në BE.