E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforma Zgjedhore, BE: 2012-a mund të jetë viti i mundësive

BRUKSEL - Komisioneri i BE për Zgjerimin dhe Politikën e Fqinjësisë Stefan Fule ka përshëndetur nisjen e dialogut politik në Shqipëri, për një sërë reformash. Ai i cilësoi si hapa deçizivë, marrëveshjet e arritura deri tani mes palëve, ndërsa inkurajoi vazhdimin e dialogut. Deklarata e Fule është bërë gjatë samitit ballkanik “Miqtë e Europës”.

“Jam i inkurajuar nga hapat deçizivë në Shqipëri, palët kanë gjetur konsensusin për një sërë reformash dhe unë i inkurajoj të vazhdojnë këtë dialog konstruktiv”, tha Komisioneri i BE.

Ai deklaroi më tej, se nëse vazhdohet në rrugën e reformave, viti 2012-të mund të jetë viti i mundësive për Shqipërinë”.

Ashton: Konsensusi të arrihet para zgjedhjeve
Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Catherine Ashton përshëndeti takimin e parë të Komisionit Parlamentar për reformën zgjedhore në Shqipëri, që u zhvillua të mërkurën.

Përmes një deklarate për mediat, zëdhënësja e Ashton bëri të ditur se "përfaqësuesja e Lartë Cathrine Ashton mirëpret takimin e parë të Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore. Përfaqësuesja e Lartë Ashton inkurajon të gjitha forcat politike të vazhdojnë punën e tyre në një mënyrë konstruktive në komision, për të gjetur konsensus mbi reformën zgjedhore në kohën e duhur përpara zgjedhjeve të ardhshme.”

Ndërkohë, shefja e diplomacisë europiane nënvizon se “reformimi i kuadrit legjislativ për zgjedhjet në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, është një nga prioritet kyçe të cilat duhen plotësuar që Shqipëria të shkojë përpara drejt objektivit të saj kombëtar për integrim në Bashkimin Europian". 

(er.nu/ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›