Tiranë- Ferrit të vend-parkimeve i shtohen edhe makinat e braktisura
Sikur të mos mjaftonte vetëm mungesa e vend-parkimeve në kryeqytet, drejtuesit e automjetëve dhe qytetarët e tij ndeshen çdo ditë me makina “të harruara” madje dhe prej vitesh në disa nga rrugët e Tiranës. Aksionet për heqjen e tyre nga policia bashkiake duket se vazhdojnë të dështojnë edhe në mes të Tiranës, siç është situata aktuale në zonën e “Ish-Bllokut”.
Tiranë- Një problem mjaft shqetësues në kryeqytet është mungesa e vend parkimeve. Për këtë arsye një muaj më parë Bashkia e Tiranës mori një aksion për largimin nga trotuaret e shitësve ambulantë dhe objekteve të tjera pa lejë, duke futur në këtë kategori natyrisht edhe makinat që kanë muaj të tërë pa lëvizura nga parkimi. Por sot jemi në datën 01 dhjetor, dhe në disa pika kyçe të Tiranës ka ende makina të parkuara, pa i lëvizur për muaj me radhë.
Në një vëzhgim të kryer nga IDEA është vënë re se në zonën e Ish Bllokut ka një numër të madh makinash që nuk lëvizin nga vendparkimi. Gjithashtu situatë e njëjtë na shfaqet pranë stadiumit Qemal Stafa si dhe tek Tregu Elektrik.
Një shitës na tregon që dy makina tek Ish – Blloku kanë gati një vit që nuk lëvizin që aty.
Është kjo makina e kuqe dhe kjo e zeza që kanë që vjet që janë këtu. Duket edhe nga pluhuri që janë mbuluar. Nuk e di kush i ka, por çdo ditë që vij në punë i shoh aty – shprehet ai.
Bashkë me dështimin e aksionit për largimin e tavolinave të lokaleve dhe shitësave ambulantë, ka dështuar si shumë të tjerë dhe largimi i makinave që bllokojnë prej muajsh parkingjet e kryeqytetit.
Kliti Topalli / IDEA
Shkrime të tjera me interes: