E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Marrëveshje strategjike me Kinën

 

BLEDAR HOTI

Shqipëria dhe Kina do të nënshkruajnë marrëveshjen e partneritetit strategjik ndërmjet tyre. Kryeministri Sali Berisha pas vizitës së tij në Kinë, ka bërë publike synimin e qeverisë që ai kryeson, atë të rikthimit të marrëdhënieve me Kinën në nivelet më të larta bashkëpunimi. Në konferencën e djeshme për shtyp, Berisha deklaroi se "në takimin me Kryeministrin, Wen Jiabao, e sigurova e se unë mbetem i vendosur, për konsolidimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore, midis dy vendeve dhe kombeve tona". "Për Shqipërinë dhe shqiptarët, Kina është një vend mik. Ndryshimet e mëdha, zhvillimi i fuqishëm i këtij vendi është i një rëndësie të madhe jo vetëm për Kinën dhe miqtë e saj, por për mbarë botën. Në këtë kontekst dhe si një stad i ri në zhvillimin e marrëdhënieve midis dy vendeve, unë shpreha mendimin se është e domosdoshme të arrihet të nënshkruhet marrëveshja e partneritetit strategjik mes dy vendeve tona", deklaroi Berisha. Sipas tij, kryeministri Wen Jiabao e mirëpriti kërkesën dhe e quajti plotësisht të arsyeshme. Në prani të delegacionit shqiptar, Kryeministri Jiabao i kërkoi ministrit të Ekonomisë dhe Tregtisë të nisë sa më shpejt procedurat për arritjen e një marrëveshjeje të tillë. "Sikundër, më siguroi se do të nisë ekipe për të studiuar të gjitha potencialet e mundshme të bashkëpunimit dhe për investime të biznesit kinez në vendin tonë", theksoi kryeministri Berisha. Ndërsa, ftesa e bërë nga Kryeministri shqiptar për një vizitë zyrtare është pritur pozitivisht nga Jiabao. Berisha ka deklaruar më pas se regjimi i Enver Hoxhës ishte mosmirënjohës ndaj ndihmës së ofruar nga Kina. "Shqipëria dhe Kina kanë pasur në të kaluarën lidhje të fuqishme. Kina e ka ndihmuar Shqipërinë, sepse në mbarë vendin janë ndërtuar dhjetëra e qindra uzina e fabrika, në të cilat shqiptarët, me punën e tyre, kanë siguruar jetesën. Natyrisht, edhe në vitin 1996, unë e sigurova Presidentin e Kinës dhe tani Kryeministrin e saj se shqiptarët ruajnë mirënjohjen për ndihmën që kanë marrë nga Republika Popullore e Kinës dhe nuk pajtohen kurrë me mosmirënjohjen dhe paranojën e udhëheqjes së tyre", deklaroi Berisha.

Ftesë Bushit për vizitë

Kryeministri bëri të ditur gjithashtu se, takimi me Presidentin e SHBA-së, Bush ishte më i përzemërti, që ai ka pasur me mikun e madh të shqiptarëve. "Zoti Bush më paraqiti tek kryetarë të tjerë shtetesh, që vinin aty, për t'u përshëndetur me Presidentin amerikan, ndër të cilët Presidenti i Brazilit Lula. Tek Presidenti Bush u ndodhëm së bashku me Presidentin serb Tadiç. Berisha pati rastin të takohet dhe me presidentin e 41-të të SHBA-së, Xhorxh Hebert Bush. "Në pritje, u takova edhe me mikun e madh timin dhe të shqiptarëve, Xhorxh Hebert Bush, të cilit i shpreha mirënjohjen më të thellë për të gjithë mbështetjen që ai personalisht, Presidenti Bush dhe SHBA-të i kanë dhënë dhe vazhdojnë t'i japin Shqipërisë, si dhe e ftova të vizitojë Shqipërinë. Presidenti Bush më falënderoi dhe përgëzoi për të gjitha arritjet e Shqipërisë gjatë këtyre viteve, si dhe pranoi ftesën për të vizituar vendin tonë". Gjithashtu, kreu i Ekzekutivit në një pritje u takua dhe u përshëndet përzemërsisht me Presidentin e Francës Nikolas Sarkozi.

Nderimi me dy gishta
Kryeministri ka shpjeguar dhe arsyet se pse iu drejtua me dy gishta delegacionit shqiptar, gjatë parakalimit në stadiumin "Foleja e zogjve" në hapjen e Lojërave Olimpike në Pekin. "Për sa i përket shenjës së përshëndetjes me sportistët shqiptarë, janë bërë komente nga më të ndryshmet. Shenja e dy gishtave e ngritur lart është simboli i fitores, "Victory", pasi unë nuk mund të mos i uroja fitoren sportistëve tanë, në këtë eveniment kaq të rëndësishëm. Kam dëgjuar dhe komente të tilla, si p.sh., se kjo shenjë u bë për zgjedhjet elektorale. Nuk them se viti nuk është elektoral, por nuk kishte asnjë lidhje me zgjedhjet, pikërisht në Pekin", deklaroi Berisha në konferencën për shtyp. Kryeministri ka qëndruar
katër ditë në Kinë, ku ka realizuar takime dhe
me ekipin olimpik shqiptar atje.

Akuzat ndaj Enver Hoxhës
"Kina e ka ndihmuar Shqipërinë, ka ndërtuar dhjetëra e qindra uzina e fabrika, në të cilat shqiptarët kanë ushtruar punën e tyre. Një ditë, kur Kina u shkëput nga kursi aventuresk i Cian Cin-it dhe Lin Biao-s dhe përqafoi kursin e reformave të Ten Xiaopin-it, udhëheqja paranojake politike shqiptare e denoncoi atë si një superfuqi dhe në mënyrën më mosmirënjohëse, ndërseu megafonat e shpifjes e të mashtrimit kundër tyre".

Kredia e butë për infrastrukturën
Në takimin me homologun e tij, Berisha kërkoi që të shqyrtohet mundësia e një kredie të butë koncensionale për Shqipërinë në drejtim të infrastrukturës, por edhe të modernizimit të fushave të caktuara, si informatika apo fusha të tjera, ku Kina po avancon shumë. Kryeministri Jiabao pranoi për akordimin ndaj Shqipërisë të një kredie të tillë, për të përdorur sa më shumë fonde për rrugët dytësore, kanalizimet, ujërat e zeza.

“Ishte një vizitë e paharrueshme”
"Mund të them se ishte një vizitë të paharrueshme, si për  shfaqjen që ndoqa në stadiumin "Foleja e zogjve", ashtu edhe për takimet që pata gjatë pritjes që shtroi Presidenti Hu Jintao, takimin shumë të rëndësishëm zyrtar me Kryeministrin e Republikës Popullore të Kinës Wen Jiabao. Në takimet e mia atje, një vend të veçantë kanë zënë takimet me kompanitë e mëdha kineze të telekomunikacionit e të prodhimit të makinave", tha Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›