E Diel, 1 Nëntor 2026

Tubimi i Bollanos: S’njohim ligjet shqiptare për pronat

Përkrahësit e Vasil Bollanos nuk do njohin ligjet shqiptare për pronat dhe nuk do i zbatojnë ato. 

Qemal Biraku

Kështu janë shprehur njëzëri pjesëmarrësit në takimin e thirrur nga kryetari i bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, në bashkëpunim me shoqatat politike të minoritetit grek. Edhe pse nuk pati konfrontime dhe përplasje përkrahësish nga dy takimet, falë dhe masave të marra nga policia, tensioni shoqëroi gjatë gjithë ditës së djeshme qytezën e vogël jugore.  
Takimi i organizuar nga shoqatat e bregdetit u zhvillua në sallën e madhe të bashkisë së Himarës, ku ka pasur me qindra pjesëmarrës, pjesa dërrmuese e të cilëve ishin emigrantë të ardhur nga Greqia, enkas për këtë rast. Segmente të caktuara brenda takimit kërkuan me ngulm që diskutimi në këtë takim të zhvillohej vetëm në greqisht. Një anëtar i "Omonias", student në Athinë, nisi të flasë në greqisht dhe kjo u prit me entuziazëm, por ndërhyrja që diskutimi të bëhej në shqip solli reaksione më të mëdha, që kulmuan me thirrjet në greqisht "Hiqni duart nga Himara". Është dashur ndërhyrja e përsëritur e kryetarit të bashkisë së Himarës, që salla të qetësohej dhe diskutimet të vazhdonin nën një klimë disi më të qetë. I pranishëm në këtë takim ishte dhe kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule dhe drejtues të lartë të OMONIA-s. Burime konfidenciale konfirmuan se disa dhjetëra shtetas janë sjellë me 4 autobusë ditën e djeshme enkas, me qëllim për të qenë pjesëmarrës në këtë aktivitet. Por parullat në greqisht që mbanin të pranishmit pas takimit dekonspiruan qëllimin kryesor të takimit, përmes të cilave nuk kërkonin vetëm zgjidhjen e çështjes së pronave, por kërkonin dhe shkolla greke në Himarë. Në qendër të këtij takimi ishte kërkesa për abrogimin e ligjit 7501, i cili u cilësua nga drejtuesit e shoqatës së bregdetit, si një ligj komunist, të cilin Himara as nuk e ka zbatuar ndonjëherë e as nuk do ta zbatojë në të ardhmen. Sipas tyre, tokat do të ndahen ashtu si janë regjistruar para 1944-ës. Përmes këtij kuvendimi "fshatçe", organizatorët kërkonin të bënin presion për gjetjen e një zgjidhje të çështjes së pronave, që sipas tyre po mban peng zhvillimin e Himarës, që është edhe një nga perlat e turizmit në vendin tonë.
Bollano
Duke luajtur dhe rolin e moderatorit në këtë takim, në të cilin tendenca e zhvillimit ishte që të flitej në gjuhën greke, ku nuk munguan dhe thirrjet në greqisht, Bollano kërkoi që të gjithë të fokusoheshin te çështja e pronave. "Qëllimi ynë është që të diskutojmë e të merremi vesh të gjithë, pasi ky s'është një takim vetëm i Himarës, apo vetëm shoqatës 'Bregdeti' apo 'Omonia', ky është një takim i gjithë zonave të bregdetit dhe për këtë duhet të merremi vesh të gjithë. Në Himarë janë shkatërruar pemtaritë, ullinjtë, agrumet etj., e për këtë jemi bashkëpërgjegjës të gjithë. Ne duhet të gjejmë strategjinë që do të na kthejnë pronat e do të zgjidhë këtë çështje që na mundon prej 15 vjetësh. Janë disa lloj akuzash që kalojnë për çështjen e pronave në Himarë, siç është rasti i Porto Parlemos, që ne do i vemi deri në fund", tha Bollano. Kryetari i bashkisë së Himarës gjatë fjalës së tij kërkoi t'i japë përgjigje edhe akuzave që deputeti i LSI-së, Neranxi, i bënte në protestën me banorët e Himarës. "Thonë që kam vjedhur pronat, mos prisni t'ju them unë, po i kam vjedhur, por faktojini, dhe më diskretitoni më pas. Këtu duhet menduar sesi t'i zgjidhim çështjet", tha Bollano, pa mundur të japë asnjë shpjegim më tepër.
Komisionet
Në fund të diskutimeve u hodhën propozime që të krijohen komisione të tokave në çdo fshat, ku një ekip, mes të cilëve dhe një topograf, do të shqyrtojnë dokumentet dhe do të finalizojnë ato, duke parë edhe ato që ka bërë 7501, konfrontuar me dokumente të para vitit 1945. Data 30 nëntor 2008 u cilësua e pranueshme që këto komisione të kenë detyrën për të finalizuar këto dokumentime, të cilat do t'i prezantohen më pas qeverisë, e cila për këtë proces nuk do të shpenzojë para, por do të bëhet me paratë e vetë himarjotëve. Ata, madje, u shprehën se për çështjen e pronave do t'i drejtohen dhe gjykatave evropiane, pasi nuk kanë besim te shteti shqiptar.

Parulla greke në rrugë

Pas përfundimit të takimit, të gjithë pjesëmarrësit në këtë kuvend kanë dalë me banderola të shkruara në greqisht, mes të cilave binin në sy ato si "Hiqni duart nga Himara", "Duam tani në Himarë shkolla greke" dhe "Himara toka jonë, shpiti ynë", shprehje këto të shkruara në banderola gjigande në gjuhën greke. Pjesëmarrësit në "Kuvendimin fshatçe të Bollanos", "Vorio Epiri nuk shitet" kanë parakaluar nga bashkia përgjatë sheshit kryesor deri tek zyra e organizatës "Omonia", duke brohoritur në greqisht "Hiqni duart nga Himara", mesazh ky që i drejtohej politikanëve e shqiptarëve. Ky parakalim bëhej në një kohë që pjesëmarrës të takimit tjetër në Himarë, që organizohej nga deputeti Neranxi, kundër veprimeve antiligjore të Bollanos, zhvillohej në qendër të qytetit. Me gjithë parullat provokuese jo vetëm për çështjen e pronave, pjesëmarrësit dhe me ndihmën e policisë shmangën çdo lloj incidenti dje në mesditë.

Neranxi dhe Ngjela kundër Bollanos

Himarjotët iu përgj-igjën pozitivisht ftesës së deputetit të LSI-së, Nikollaq Neranxi.

Aristir Lumezi

Të pranishëm në këtë tubim, ata u shprehën në mbrojtje të pronave të tyre, të cilat po tjetërsohen dhe po bllokohen nga kryetari i bashkisë së Himarës, Vasil Bollano. Në një podium të improvizuar në qendër të qytetit të Himarës, Neranxi iu drejtua himarjotëve "në radhë të parë si bir i Himarës, por edhe si deputet i Kuvendit të Shqipërisë". Ai i siguroi himarjotët se do të ishte një mbështetës i interesave të tyre, ndërkohë që, sipas tij, kryebashkiaku i kishte tradhtuar duke firmosur urdhra për shkatërrimet që u bënë në bregdet. Deputeti deklaroi se disponon të gjithë dokumentacionin që komprometon pozicionin e Bollanos, por edhe të qeverisë shqiptare që e përdor atë si instrument për të realizuar qëllimet e saj. Sheshi qendror i qytetit të Himarës ishte mbushur me përkrahës të çështjes së pronave të himarjotëve, të cilët protestonin kundër bashkiakut të tyre me parulla të shkruara në shqip, ku thuhej: "Kjo tokë quhet Himarë dhe të zotët e saj janë himarjotët", "Pronat tona do mbrohen me gjak", "Turizmin e ngremë vetë" etj. Një mbështetje aktive dha dje në këtë tubim dhe deputeti i djathtë, Spartak Ngjela. Avokati i njohur u pozicionua në krah të pronarëve të ligjshëm. I ftuar nga deputeti Neranxi, avokat Ngjela iu drejtua popullit të Himarës, duke u bërë thirrje atyre që të hapin sytë dhe të shohin se kryebashkiaku jo vetëm që nuk po i mbron, por ai i ka tradhtuar tashmë. "Por ju duhet të keni besim tek organet e drejtësisë, të cilat do ta zbardhin deri në fund këtë çështje, duke i dhënë të gjithë fajtorëve, përfshirë kryebashkiakun tuaj atë që meriton", tha avokati. Më pas, Ngjela tha se së bashku me Neranxin do të ngrenë një lob brenda në Parlament, i cili do të kërkojë me insistim që pronat e himarjotëve të shkojnë në duart e të zotit.

Policia bashkiake shembi podiumin

Punonjësit e bashkisë së Himarës e konsideruan të paligjshëm ngritjen e një podiumi, mbi të cilin do të flisnin referuesit e këtij tubimi kundër veprimeve të kryetarit të kësaj bashkie, Bollano. Rreth orës 6 të mëngjesit, pasi kanë parë kamionët e kompanisë Neranxi, të cilat kishin sjellë materialet e nevojshme për ngritjen e podiumit, punonjësit e bashkisë kanë ndërhyrë duke çmontuar çdo gjë që ishte ngritur deri në atë moment. Ka qenë ndërhyrja e deputetit Neranxi, i cili ka folur me autoritetet policore, nga të cilat kishte marrë dhe lejen e organizimit të tubimit për të qetësuar situatën dhe për zhvillimin normal dhe pa tensione të tij. Podiumi, i cili ishte vendosur me shikim nga bashkia e Himarës dhe kishte një banderolë në mbrojtje të pronave të himarjotëve, bëri të mundur që folës, mes të cilëve dhe kushëriri i vetë kryetarit të bashkisë, të shprehnin shqetësimin e tyre.

“Kryetari i bashkisë ua shiti tokat tona të huajve”

Kushëriri i kryetarit të bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, mbështeti deputetin Nikollaq Neranxi në mbrojtje të pronave të himarjotëve. Ai quhet Kiço Bollano dhe është rreth të 80-ave. Plaku Bollano nuk ka ngurruar të marrë pjesë në mitingun e organizuar nga deputeti Neranxi, një kundërshtar i hapur i kryebashkiakut Bollano, madje ai ka hipur edhe në podium për të thënë mendimin e tij. Kiço Bollano është pronar i rreth 15 ha tokë, hipotekën e së cilës nuk e ka marrë akoma. Për këtë ai bën përgjegjës kushëririn e tij, Vasil Bollano, duke e përgjithësuar çështjen e tij, pasi të njëjtin fat kanë dhe shumë himarjotë, të cilët ende nuk kanë marrë hipotekën e pronave të tyre. I pyetur pse zgjodhi deputetin himarjot Neranxi për t'i besuar këtë problem shumë madhor për të dhe për të gjithë himarjotët, ai thotë: "E falënderoj deputetin Neranxi, birin tonë që erdhi dhe e zgjoi këtë popull, pasi kishte kohë që kishte rënë në gjumë. Menduam se Bollano na mbronte, por ai na i grabiti tokat dhe ua shiti ato të huajve. Megjithatë unë kam besim tek institucioni i kthimit të pronave dhe një ditë shumë shpejt ne do të kemi në dorë hipotekat e pronave që na i lanë të parët tanë". Janë shumë himarjotët, të cilët dhe pse i kanë të njohura pronat e tyre janë bllokuar në procesin e hipotekimit nga ana e bashkisë së Himarës. Ndërsa vihet re një dyndje e qytetarëve jashtë Himarës dhe të të huajve, të cilët po bëhen çdo ditë pronarë të tokave të tyre. I pyetur nëse kishte frikë dhe ndrojë ashtu si shumë himarjotë të tjerë të frustuar nga kryebashkiaku, ai përgjigjet: "Më vjen keq që shumë prej himarjotëve, të cilët deklaruan se do të ishin në mitingun tonë, në momentin e fundit u frikësuan, sidomos kur policia prishi podiumin. Por unë nuk kam frikë, kam lindur një ditë dhe një ditë do vdes, por jo si frikacak. Di që himarjotët janë kërcënuar, se nëse shkojnë tek mitingu i Neranxit nuk do të marrin më pensionet nga greku, por për mua prona është gjëja më e shenjtë, pasi është e imja dhe nuk ma jep njeri si lëmoshë".

Deputetë grekë në tubimin e Bollanos

Për takimin e Bollanos ishin angazhuar seriozisht edhe shoqatat politike në Greqi. Kjo u duk qartë dhe nga prezenca e disa deputetëve grekë në këtë takim, ndër të cilët dhe deputeti Mavroudis Voridhis. Deputetët grekë, veçanërisht ata të maxhorancës aktuale në Greqi, të Demokracisë së Re kanë qenë më aktivë në zhvillimet e Himarës. Ish-ministri i jashtëm grek, Theodhor Kassimi, ka qenë mjaft aktiv në zgjedhjet për pushtetin vendor në vitin 2003, ku prezenca e tij ka qenë mjaft e dukshme në zhvillimet në zonë. Madje, ai ishte i pranishëm edhe në balotazhin e tyre pas incidenteve të rënda me thirrje nacionaliste të disa përkrahësve të Bollanos në ato zgjedhje. Por dje organizatorët e takimit kishin mundur të sillnin katër autobusë me mbështetës nga Greqia, ndërsa një pjesë e mirë e tyre kishin ardhur me makinat personale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›