Berisha: Më 23 qershor, të fshijmë nga harta murin e bllokimit
Kryeministri Berisha përshëndet takimin festiv të qytetarëve të Shkodrës, për kremtimin e 22 vjetorit të themelimit të degës së PD
Kryeministri Sali Berisha, njëherazi kryetar i Partisë Demokratike, përshëndeti dje në mbrëmje takimin festiv në Pallatin e Sportit të qytetit të Shkodrës, për kremtimin e 22 vjetorit të themelimit të degës së Partisë Demokratike në këtë qytet.
Mes entuziazmit të qytetarëve të Shkodrës, kryeministri Berisha tha Partia Demokratike kremton “22 vjetorin e themelimit të saj, si forcë e ndryshimeve epokale dhe do të vazhdojë të jetë forcë madhore për Shqipërinë, vend i zhvilluar, Shqipërinë evropiane”.
“Por, sot, ne kremtojmë 22 vjetorin si forcë politike që lindi nga aspiratat ndjenjat, ëndrrat më të bukura të lirisë së shqiptarëve, kremtojmë themelimin e Partisë Demokratike. Ne vijmë në këtë ditë të bekuar, më të gatshëm, më të vendosur e më të sigurt se kurrë për betejë, për fitore. Ne vijmë sot, në këtë ditë, si forca e ndryshimeve epokale. Shqipërinë e mjerimit, skamjes, vuajtjes e nëpërkëmbjes, ne e nxorëm në vendin me të ardhura të mesme të larta, në vendin e shpresës, në vendin e besimit. Ne jemi ndryshimi - Përpara!”, u shpreh Berisha.
Kreu i qeverisë solli në vëmendje arritjet e Shqipërisë nën qeverisjen e Partisë Demokratike nga anëtarësimi në NATO, liberalizimi i vizave, ndërtimi infrastrukturës, rritja ekonomike, zhvillimi i arsimit etj.
Përballë arritjeve konkrete dhe alternativës së zhvillimit, tha kryeministri, qëndron alternativa e bllokimit. Berisha i kërkoi qytetarëve shqiptarë që me votën e tyre në 23 qershor të fshijnë nga harta murin e bllokimit.
“Ne vijmë sot si forca madhore e ndryshimit të këtij vendi, sepse Shqipërinë, vendin më të izoluar të planetit, e shndërruam në anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut, Aleancës më të fuqishme të kohërave. Ne jemi ndryshimi, sepse ne jemi burrat e gratë, djemtë e vajzat që shembëm 22 vjet më parë, murin e Berlinit. Nga kjo platformë, nga çdo vatër shqiptare, nga çdo zemër shqiptare, i themi Edvin Kristaq Ramës se mezi presim 23 qershorin për të fshirë nga harta e dheut, murin e bllokimit. Ne jemi ndryshimi – përpara drejt Europës! Ne jemi ndryshimi, sepse sot, me punë e përpjekje të mëdha, ne e kemi vendosur Shqipërinë në shinat e dijes. Sot shqiptarët ndjekin shkollat e mesme e të larta në përqindjen më të madhe, se çdo komb tjetër në kontinent. Shqipëria e dijes është projekti i të ardhmes sonë. Ne jemi ndryshimi, sepse 22 vjet më parë diktatura na la vendin e tretë më të varfër në planet dhe në këtë hark kohor, ne kemi rritur të ardhurat për frymë sa asnjë komb tjetër në Europë. Përsëri ne nuk jemi aty ku meritojmë, por përpara, përpara drejt mirëqenies sonë. Këto vite ishin vitet e krizës më të thellë europiane e më gjerë, por ju me mundin e djersën, mençurinë e përkushtimin tuaj dhe reformat e qeverisë dhe mbështetjen e saj ia dolët që kësaj sfide t’i përgjigjeni në mënyrën më serioze. Ne jemi ndryshimi, sepse edhe në ditët e kulmit të krizës Shqipëria pati rritje ekonomike katër herë më të madhe se rajoni. Zoti Rama, ndryshimi midis nesh është i madh, sa ndryshimi midis ditës e natës. Ndryshimi midis këtyre burrave e grave dhe teje është si ndryshimi i ditës me natën, sepse këta të rinj, këta burra e gra, të gjithë së bashku duan më pak të varfër, ndërsa ti do më pak të pasur. Këta djem e vajza, këto burra e gra, unë bashkë me ta, qeveria bashkë me ta punon çdo ditë për të ndihmuar të varfrit, për të krijuar vende pune, për t’i nxjerrë nga varfëria, ndërsa ti zotëri premton shkatërrimin e shpejtë të vendeve të punës, rritjen e taksave, agjenci speciale, taksa speciale që kurrë nuk do t’i vendosësh. Ne jemi ndryshimi, zoti Rama, sepse ne, me parimet që besojmë, me vlerat që mbrojmë, me përkushtimin tonë ia kemi dalë këto katër vite të kemi rritje ekonomike katër herë më të madhe se mesatarja e rajonit; ia kemi dalë këto katër vite të jemi i vetmi vend në rajon, në të cilin është ulur dhe jo rritur papunësia. Kurse ti i nderuar zotëri je i shkretë në ide, i varfër në mendime, je i pasur në trillime, je i pasur në mohime, je i pasur në mashtrime. Ne jemi ndryshimi, sepse vetëm shtatë vjet më parë Shqipëria kishte gjithsej 2430 kilometra rrugë të asfaltuara, ndërsa në gjashtë vite, ne ndërtuan e asfaltuam mbi 10 mijë kilometra rrugë. Në çdo skaj, në çdo fshat, në çdo qytet, ne do të asfaltojmë rrugët e qytetarëve shqiptarë. Ne jemi ndryshimi, sepse në një hark kohor të shkurtër, ne, që nuk dinim as fjalën Facebook, jemi një nga kombet me përdorim interneti më të lartë. Sot komunikojmë njëri me tjetrin me Facebook e të gjitha mënyrat. Shqipëria dixhitale ishte premtimi ynë. Shqipëria në zenitin dixhital është premtimi ynë i ardhshëm. Ne jemi ndryshimi, sepse 22 vjet më parë ne renditeshim ndër vendet me jetëgjatësi të ulët, me vdekshmëri foshnjore, vdekshmëri amtare e vdekshmëri në tërësi ndër më të larta në botë. Ndërsa sot ne lëmë mbrapa jo një, por disa vende të zhvilluara. Përpara - një jetë të gjatë, mirëqenie, shkollim, kujdes shëndetësor për mbarë shqiptarët!”, u shpreh kryeministri.
Kreu i qeverisë theksoi sërish se çështja kombëtare është ylli polar i Partisë Demokratike dhe programit të saj.
“Ne jemi ndryshimi, sepse në ditët e para të ekzistencës sonë ne u ngritëm mbi çdo gjë dhe shpallëm para botës se ylli ynë polar është çështja kombëtare. Sot shqiptarët janë të lirë. Bashkimi kombëtar është ylli ynë kombëtar”- tha ai.
Për kreun e ekzekutivit, 23 qershori do jetë dita e entuziazmit të fuqishëm që do përçojë fitoren e Shqipërisë së zhvilluar.
“Le të vazhdojmë betejën elektorale, të trokasim në çdo vatër të qytetarëve të mrekullueshëm të këtij qyteti, rrethi e qarku. Ti japim në 23 qershor bukurinë më të madhe, entuziazmin më të fuqishëm, fitores së Shqipërisë së zhvilluar, fitores së Shqipërisë europiane. Ne jemi ndryshimi - Përpara, përpara, përpara!”, përfundoi kryeministri Berisha.