E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: Ne bëjmë histori, ne ecim përpara

15-01-2013 / Gazeta 55

Kryetarja e Kuvendit përkujtoi rrëzimin e bustit të Stalinit në Shkodër, më 14 janar 1990

Shkodranët përkujtuan dje demonstratën antikomuniste të 14 janarit 1990, kur 23 vjet më parë, revolta mbarë popullore, e konsideruar e para e këtij lloji, detyroi sistemin e  atëhershëm komunist të hiqte nga qendra e qytetit bustin e Stalinit. Në 14 Janar të vitit 1990, në sheshin qendror të Shkodrës, Dedë Kasneci, Kolec Ulbina, vëllezërit, Kastriot dhe Apollon Haxhi, Rini Munajka, Gjergj Livadhi, Ibrahim Bilali, Tonin Dema, disa nga emrat më të spikatur të kësaj demonstrate, (që më pas u arrestuan, burgosën e torturuan, deri edhe në flijim), në mënyrë demonstrative kërkuan heqjen e bustit të diktatorit Stalin dhe rrëzimin e sistemit komunist.
E pranishme në takimin përkujtimor të 23 vjetorit të demonstratës antikomuniste të 14 janarit 1990, Kryetarja e Kuvendit vlerësoi aktin heroik të bashkëqytetarëve të saj shkodranë, të cilët duke sfiduar friken dhe presionin e sistemit të kaluar, hoqën bustin e Stalinit në qendër të qytetit të Shkodrës.
“Të gjithë e donim, të gjithë e shpresonim, por ndoshta dukej e pamundur në atë periudhë. Në fakt, ajo që dukej e pamundur, u bë një realitet”, tha Kryetarja Jozefina Topalli.
Ajo shprehu mirënjohjen dhe nderimin më të thellë  për ata që guxuan dhe dolën mbi frikën, si dhe falënderoi qytetarët që mbështetën protagonistët e rrëzimit të bustit.
“I dashur Gjergj, Nini, Aldo, Xhovo, Dedë, familjarë të Flamurit, prindër të Huanit, Ketit dhe shumë të tjerë që ndoshta unë s’po ua kujtoj emrin. Sigurisht që një vend të veçantë zë Rin Monajka, për të cilin unë do t’iu ftoja që të gjithë të duartrokasim, në nderim, në kujtim dhe në mirënjohje të thellë për të. Kanë kaluar 23 vite, duket se është një kohë e gjatë, por për ne që kemi qenë dëshmitarë të asaj dite duket sikur ka ndodhur dje”, theksoi Topalli.
Më pas kryetarja  e Kuvendit vuri në dukje qytetin e Shkodrës, si një qytet që është ngritur gjithmonë mbi frikën.
“Ky qytet ka qenë gjithmonë i pari në të gjithë historinë tonë të kombit shqiptar. Ky  qytet ka dhënë pa menduar dy herë jetën, shpirtin, zemrën, pasurinë, atdhedashurinë. Ky është qytet patriot. Ne jemi shkodranë, ne jemi shqiptarë. Ne jemi patriotë, ne e duam këtë vend dhe sot më shumë se kurrë, ne përulemi me mirënjohjen më të thellë ndaj atyre që ishin të parët. Një vit përpara se të krijohej Partia Demokratike në qytetin tonë, shumë muaj përpara se lëvizja të fillonte në Tiranë dhe në qytetin Studenti, ne kemi qenë gjithmonë të parët, ne i ndryshojmë gjërat. Ne bëjmë histori, ne ecim përpara”, nënvizoi Topalli.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›