E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Më 28 prill aplikimi në BE

Kryeministri Berisha falënderon edhe opozitën për kontributin që ajo ka dhënë, duke e siguruar se kërkesa nuk është akt elektoral

"Ky vendim i yni nuk vjen si një vendim i njëanshëm, por bashkërendim i vendeve anëtare të BE-së"

TIRANË - Shqipëria do të paraqesë zyrtarisht në datën 28 prill, në Pragë të Çekisë, kërkesën për statusin e kandidatit për anëtare e Bashkimit Europian. Pavarësisht thirrjeve të ndërkombëtareve, që kjo kërkesë të konkretizohej pas zgjedhjeve, Kryeministri Sali Berisha, në mbledhjen e djeshme të qeverisë, ku ishin të pranishëm edhe drejtues të institucioneve dhe agjencive kryesore të shtetit, ka theksuar se ajo ishte në bashkërendim të plotë me vendin që ka kryesinë e radhës së Bashkimit Europian dhe vendeve të tjera anëtare.

"Ky vendim i yni nuk vjen si një vendim i njëanshëm, por vjen si një vendim plotësisht i bashkërenduar me vendin që ka kryesinë e radhës së Bashkimit Europian, vjen si një bashkërendim me vendet anëtare të Bashkimit Europian, të cilat mbështesin këtë akt dhe këtë vendim, vjen si një bashkërendim me Komisionin Europian.

Pra, vendimi për të paraqitur në datën 28 prill, në Pragë, kërkesën e Shqipërisë për statusin e kandidatit, është një vendim gjerësisht i konsultuar, sikundër kishim deklaruar edhe më parë", - tha ai. Berisha informoi se gjatë kësaj kohe janë zhvilluar negociata intensive me kancelaritë e vendeve anëtare të BE-së.

"Gjatë këtyre muajve është paraqitur pikëpamja e qeverisë shqiptare dhe ka gjetur mbështetje të plotë fakti se për vendin dhe kombin tim, procesi i anëtarësimit në BE duhet të bazohet, para së gjithash dhe mbi të gjitha, mbi reformat, eficencën e tyre, funksionalitetin e qeverisjes dhe funksionimin e demokracisë. Nga ana tjetër, bazuar në këta faktorë, ky do të jetë një proces i pandalshëm, sepse ky proces, të cilin e mbështetin 96 për qind e shqiptarëve, përbën një forcë të fuqishme udhëheqëse në vetvete, përbën një motiv të pashtershëm të reformave të vazhdueshme për të arritur kriteret, standardet, normat e Bashkimit Europian",- tha ai.

Berisha shtoi se kërkesa e Shqipërisë paraqitet si rezultat i reformave, që, sipas tij janë realizuar në vend, por edhe si rezultat i kontributit të Shqipërisë në misionet e paqes. Berisha ka falënderuar vendet anëtare të BE-së për kontributin, Kryeministrin e Çekisë, Topolanek, administratën shqiptare dhe së fundmi edhe opozitën shqiptare për kontributin që ajo ka dhënë.

"Dua të falënderoj opozitën për reformat që ka votuar në Parlament dhe dua ta siguroj atë se ky akt nuk është elektoral, se ky akt është në zbatim të rezolutës që kemi votuar bashkërisht në Parlament dhe se ky akt është interesi më i mirë i të gjithë shqiptarëve, pavarësisht nga bindjet e tyre politike. Ky akt është themelor në programin politik të të gjitha forcave politike serioze të vendit.

Në Pragë ne shkojmë me konsensusin më të gjerë. Këtë akt e mirëpresin 96 për qind e qytetarëve shqiptarë",- tha Berisha. Kryeministri ka firmosur në prani të medias edhe tekstin e letrës, që ai (dhe Presidenti i Republikës, Bamir Topi) i drejtojnë Presidentit të Këshillit të Bashkimit Europian, Shkëlqesisë së Tij, z. Mirek Topolanek, ku bëhet i ditur vendimi i qeverisë shqiptare për paraqitjen e kërkesës së Shqipërisë, për statusin e vendit kandidat për anëtar në Bashkimin Europian.

----------------------------------------------------------------------------------

Teksti i letrës drejtuar Presidentit të Këshillit të BE-së, z. Mirek Topolanek,

"Shkëlqesia Juaj, zoti President!

Në emër të Republikës së Shqipërisë, në vijim të rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, të datës 29 janar 2009, mbështetur në aspiratën dhe vullnetin mbizotërues të popullit shqiptar për t'u bërë pjesë e Bashkimit Europian, kemi nderin që, në përputhje me nenin 49 të Traktatit të Bashkimit Europian, të paraqesim aplikimin e Republikës së Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Europian.


Përfitojmë nga rasti për t'i ripërsëritur Shkëlqesisë Suaj sigurimet e konsideratës sonë më të lartë"

Etapat e Shqipërisë në BE

TIRANË- Procesi i integrimit europian është i ndarë në 7 faza, ndërkohë që Shqipëria, deri më sot, ka kaluar vetëm 3 prej tyre. Për Shqipërinë, mbeten edhe 4 faza deri në anëtarësimin e saj të plotë.

Faza e katërt përfshin atë kapitull që quhet "Opinioni" dhe i referohet vlerësimit që i bëhet aplikimit të një vendi për t'u anëtarësuar në BE nga ana e Komisionit Europian, mbi bazën e përgjigjeve të pyetësorit të përgatitur nga komisioni.

Kjo fazë nis nga momenti i aplikimit të një vendi dhe zgjat nga 1 deri në 3 vjet. Faza e pestë përfshin fillimin e "Negociatave të Anëtarësimit" në BE, që përfshin një hark kohor, minimalisht një vit, dhe maksimalisht 7 vjet.

Faza e gjashtë është nënshkrimi i "Traktatit të Anëtarësimit", periudhë kjo nga 2 muaj deri në 5 vjet. Ndërsa faza e shtatë është "Data e Anëtarësimit", që përfshin harkun kohor nga 1 deri në 2 vjet.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›