Greqia dhe Austria, letër BE-së: Brenda 2010-s të hiqen vizat me Shqipërinë
Dy ministrat e Jashtëm të Greqisë dhe Austrisë, Dimitris Droutcas dhe Michael Spindelegger, i kanë dërguar një letër kryediplomates evropiane, Cathrin Eshton dhe homologëve të tjerë evropianë, ku kërkojnë përshpejtimin e disa hapave që vendet e Ballkanit dhe bllokut duhet të marrin për vitin 2010. Për sa i përket Shqipërisë, në letër kërkohet rritja e përpjekjeve të bashkëpunimit me Komisionin në kornizën e vlerësimit të aplikimit të saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Të përmbushen objektivat e mbetura të udhërrëfyesit për heqjen graduale të vizave të Shqipërisë dhe Bosnjës me BE-në.
Evropa perëndimore u jep një tjetër siguri shqiptarëve se brenda këtij viti do të lëvizin pa viza drejt zonës “Shengen”. Në një kohë kur Spanja e ka vendosur integrimin e Ballkanit në një ndër prioritetet e Presidencës së saj të Bashkimit Evropian, Greqia dhe Austria i kërkojnë Brukselit që i gjithë rajoni të hyjë në bllok në vitin 2014. Dy ministrat e Jashtëm të Greqisë dhe Austrisë, Dimitris Droutcas dhe Michael Spindelegger, i kanë dërguar një letër kryediplomates evropiane Cathrin Eshton dhe homologëve të tjerë evropianë, ku kërkojnë përshpejtimin e disa hapave që vendet e Ballkanit dhe bllokut duhet të marrin për vitin 2010. Për sa i përket Shqipërisë, në letër kërkohet rritja e përpjekjeve të bashkëpunimit me Komisionin në kornizën e vlerësimit të aplikimit të saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Të përmbushen objektivat e mbetura të udhërrëfyesit për heqjen graduale të vizave të Shqipërisë dhe Bosnjës me BE-në. Në tekstin e përbashkët të dy shteteve drejtuar BE-së listohen shtatë kërkesa mes të cilave: Të rriten përpjekjet e bashkëpunimit të Shqipërisë dhe Malit të Zi me komisionin në kornizën e vlerësimit të aplikimeve të tyre për anëtarësim në BE. Të përmbushen objektivat që kanë mbetur në hartën e rrugës për heqjen graduale të vizave hyrëse të Shqipërisë Bosnje-Hercegovinës në vende të BE-së. Pesë pikat e tjera që lidhen me vendet e tjera të rajonit janë: Të përfundojnë negociatat me Kroacinë; të gjendet një zgjidhje e pranueshme reciproke për çështjen e emrit të Maqedonisë dhe të hapen negociatat për Maqedoninë. Të bëhet progres nga Serbia në drejtim të anëtarësimit në BE, përfshi dhe shkrirjen e marrëveshjes së asociim-stabilizimit. Të bëhet progres specifik për Kosovën. Të forcohet roli në Bosnje-Hercegovinë me qëllimin e vetëm të integrimit evropian të këtij vendi. Në këtë letër dy anëtarët e BE-së përshëndesin vendimin e Presidencës spanjolle që të mbahet një konferencë e nivelit të lartë për Ballkanin Perëndimor me rastin e 10-vjetorit të Samitit të Zagrebit. Dhe mbi të gjitha, të caktohet data 2014 si data historike për anëtarësimet e tyre në BE. Dy ministrat theksojnë se integrimi evropian i Ballkanit Perëndimor është prioritet dhe garanton stabilitet dhe për këtë arsye BE duhet të inkurajojë këto vende që të angazhohen për të respektuar principet dhe vlerat evropiane. Për dy ministrat, integrimi evropian i vendeve të Ballkanit Perëndimor duhet të jetë një prioritet i madh i Brukselit. Misioni i Greqisë për të ndihmuar Shqipërinë në rrugëtimin e saj drejt bllokut është konfirmuar prej kohësh nga vetë Kryeministri grek Papandreu gjatë një takimi me homologun shqiptar, Sali Berisha, në Prespë.