Manjani: Në qeverinë Berisha, gjykatat janë fiksion dhe jo realitet juridik
Partia Socialiste, në mënyrë të përsëritur ka shprehur shqetësimin e saj për ndërhyrjet politike të kryeministrit Sali Berisha në sistemin e drejtësisë. Këtë deklaratë e ka dhënë Kryetari i Komisionit për Ligjet, Administratën e Sigurinë në PS, Ylli Manjani. Sipas Manjanit, kundër shqetësimeve të opozitës Berisha është përgjigjur me rritjen e sulmeve ndaj gjyqësorit, duke bërë që ky i fundit sot të perceptohet nga shqiptarët gjithnjë e më pak i besueshëm.
Manjani deklaroi se për shkak të politikës së mbrapshtë të Sali Berishës në menaxhimin e shërbimeve ligjore, sot gjykatat janë më tepër fiksion sesa realitet juridik. Këtë sjellje të Qeverisë, Manjani e ka cilësuar si sjellje që i ngjan një bande kriminale, sesa një qeverisje përfaqësuese të interesave legjitime të shqiptarëve. Manjani kujtoi se kryeministri aktual Berisha erdhi në qeverisje me premtimin që drejtësia do të pavarësohej dhe tu shërbente shqiptarëve. Sipas tij, Berisha jo vetëm që nuk e mbajti premtimin, por shkatërroi çdo element të pavarësimit të sistemit, duke futur politikën e tij në çdo dosje gjyqi apo hetimi. Manjani deklaroi se Ministria e Drejtësisë së Sali Berishës prej 4 vitesh sillet me arrogancë të pashembullt ndaj çdo gjykatësi dhe prokurori që guxon të hetojë apo gjykojë korrupsionin e kryeministrit Berisha. Sipas tij, që prej shtatorit 2005 e deri më sot, qeveria e Sali Berishës ka prodhuar me shumicë legjislacion antikushtetues e antidemokratik. Manjani vijoi se ligjet e Sali Berishës, anashkaluan hapur në disa raste pushtetin gjyqësor, me qëllimin e vetëm që të rrinin pushtetin e tij personal.