E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Me votën tonë, firmosëm fundin e tranzicionit

Kryeministri Sali Berisha gjatë fjalës së tij në seancën e djeshme parlamentare, ka vlerësuar miratimin e Paketës së Aderimit të Shqipërisë në NATO nga Kuvendi i Shqipërisë, ku sipas tij kjo përbën një akt madhor dhe një ngjarje me rëndësi historike për vendin. Sipas tij, vota për këtë paketë, ka firmosur fundin e tranzicionit në Shqipëri dhe fillimin e një epoke të re për këtë vend, ku sipas tij shqiptarët do të ndërtojnë të ardhmen e tyre të lirë. Ndër të tjera, kryeministri Berisha e konsideruar ditën e djeshme një mirënjohje ndaj gjithë faktorit ndërkombëtarë, qeverisë së SHBA-së dhe qeverive të vendeve të tjera aleate, të cilët kanë ndihmuar Shqipërinë në këtë proces të vështirë. "Ne votojmë në këtë parlament aktin më historik, më solemn dhe më të rëndësishëm të të gjithë historisë sonë kombëtare pas shpalljes së pavarësisë. Ne votojmë si përfaqësues të qytetarëve shqiptarë, anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, në Aleancën më të fuqishme të lirisë të të gjitha kohërave, u shpreh kryeministri Berisha, ku ndër të tjera shtoi se vota ishte në favor të garantimit të lirive të të gjitha gjeneratave, që do të vijnë dhe për nisjen e rrugës drejt së ardhmes. Sipas tij, shqiptarët arkivojnë një nga historitë më të dhimbshme të planetit, ku Shqipëria është një komb tejet jetëgjatë që ka një udhëtim në të cilin u përball me pushtime të zgjatura, me diktatura të egra, copëtime të dhimbshme dhe të pamerituara. Në këtë udhëtim, kombi ishte i detyruar të angazhonte gjithçka për mbijetesën e tij të kërcënuar në mënyrë permanente. Ne dolëm nga diktatura si një nga 3-4 vendet më të varfra të botës, si vendi që kishte si drejtim kryesor të ndërtimeve, bunkerin dhe tunelin, me një rënie ekonomike në mbi 40 për qind dhe papunësi në nivelet e 80 për qind", vijoi ndër të tjera kryeministri Berisha. Në lidhje me këtë, kreu i qeverisë shtoi se shqiptarët mbijetuan dhe përjetojnë këto ditë, sepse sipas tij aspirata e tyre për liri dhe dinjitet nuk u shuajt kurrë nga pushtimet, epidemitë, skamja dhe diktatura, por mbeti e gjallë për tu shndërruar në një realitet në vitet '90. Aspirata e shqiptarëve për liri, u shndërrua në levën e Arkimedit. Mirënjohje ndaj studentëve, intelektualëve, qytetarëve dhe punëtorëve të Tiranës, që me një kurajë legjendare shembën në Tiranë Murin e Berlinit, perden e hekurt dhe hapën dyert  e ndaluara, dyert e mbyllura për liri dhe pluralizëm. Mirënjohje për të gjithë ata qytetarë shqiptarë dhe për ata zyrtarë shqiptarë, të cilët gjatë këtyre viteve, kontribuan në këtë proces me afrimin e progresiv të Shqipërisë në NATO", u shpreh Berisha, duke e konsideruar ditën e djeshme një ditë mirënjohje ndaj faktorit ndërkombëtar. Kreu i qeverisë shqiptare vlerësoi kontributin e ndërkombëtarëve për ndërtimin e demokracisë dhe ekonomisë së tregut në Shqipëri, në mënyrë që ky komb të mund të ecte i sigurt drejt kësaj dite. Një mirënjohje të veçantë, kryeministri Berisha i shprehu qeverisë së SHBA-së dhe presidentit Bush, i cili në qershor të vitit 2007 solli mesazhet e mëdha dhe historike të kombit amerikan: Kosova e pavarur dhe Shqipëria në NATO". Gjithashtu, në emër të Kuvendit të Shqipërisë, kryeministri Berisha përshëndeti ushtarakët shqiptarë që ndodhen me misione paqeruajtëse jashtë vendit, të cilët me misionin e tyre u shndërruan në ambasadorë të shkëlqyer të përfaqësimit të Shqipërisë dhe në një faktor të rëndësishëm për afrimin e kësaj dite. Ne realizojmë projektin-ëndërr të Shqiptarëve, do të bëjë çdo përpjekje që këtë besim të paprecedent në historinë e këtij kombi, ta shndërrojë në vlera për konsolidimin e demokracisë në Shqipëri dhe aftësimin e saj për të qëndruar krah për krah vendeve aleate, për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, përfundoi Berisha fjalën e tij në seancën e djeshme parlamentare.  

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›