Berisha: Mediat po ma censurojnë Fatos Nanon
Gjatë një vizite në qytetin e Shkodrës, kryeministri Berisha është ankuar për censurën që mediat po i bëjnë ish-kreut të PS-së, Fatos Nano. “Kujtoni edicionet e djeshme të lajmeve. Ish-kryetari i tij për 15 vjet, i cili deklaroi se e mora nga Parisi me thonj pa prerë dhe e bëra ministër, dha një deklaratë dhe tri nga mediat që i kontrollon me leje ndërtimi, me sheshe ndërtimi dhe me lista deputetësh, nuk guxuan të transmetojnë qoftë edhe një fjalë të vetme, ndonëse e dinë se ky vend ka 60 televizione dhe që nuk mund të vendosen kurrë censura. Shikoni sa primitiv. Imagjinoni sikur ai të ketë pesë apo dhjetë televizione në dorë, që të gjitha do t’i vendosë në censurë dhe do të përdhosë kulturën tonë të lirë dhe vlerat e lirisë. Këto të dyja nuk do t’ia falni kurrë atij”, - u shpreh kryeministri. Më tej, kryeministri, në të njëjtin kontekst, ka deklaruar se mediat e kritikojnë atë vetëm e vetëm sepse ai në vitin ‘90 u solli mediave lirinë për ta kritikuar. “I dëgjoni të gjitha mediat kur kritikojnë Sali Berishën sepse njeriu modern është njeri kritik dhe vetëm si të tillë duhet ta pranojmë. Sepse mendimi ndryshe është lokomotivë. Dëgjojini ato edhe kur shajnë pa kulturë, por fikini ato kur censurojnë, sepse i fikin vetë valën dhe ekranin. Sepse ne ishim burrat dhe gratë, djemtë dhe vajzat që në vitet ‘90 u ngritën para së gjithash dhe mbi të gjitha kundër censurës. Anticensura është morali ynë. Censura është armiku më i egër i lirisë se mendimit dhe forma më intolerante ndaj mendimit ndryshe, është akti më i papranueshëm për qytetarët e lirë”, - u shpreh dje Berisha.
14 Mars 2009