E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: “Politika të respektojë funksionin kushtetues të sistemit të Drejtësisë”



Tiranë - Pak orë para se dosja “Gërdeci” të shkonte në Gjykatën e Lartë, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, foli në Burrel mbi domosdoshmërinë e funksionimit kushtetues të sistemit të Drejtësisë. Gjatë mesazhit të tij mbi këtë çështje Presidenti i Republikës theksoi dhe angazhimin e tij maksimal për të shmangur influencat politike apo ekonomike mi sistemin e Drejtësisë. “Unë ruaj kontakte të shpeshta, të drejtpërdrejta, nëpërmjet letrave dhe informacioneve dhe me popullin e zonës tuaj, dhe natyrisht që është një shqetësim i madh çështja e drejtësisë. Ka qenë objekt i diskutimit gjatë gjithë kësaj periudhe dhe sfida më e madhe ajo që unë po mundohem të përballoj së bashku me aktorët e tjerë institucionalë dhe politikë, është vendosja e sistemit të Drejtësisë në pozicionin kushtetues që i takon dhe i pavarur totalisht nga të gjitha influencat, qofshin këto politike apo ekonomike dhe ky institucion kaq i rëndësishëm duhet të jetë në funksion të qytetarëve të thjeshtë në mënyrë që ai të bindet, se ne do të ndërtojmë në mënyrë definitive shtetin e së drejtës, shtetin që të jetë në funksion të qytetarëve pavarësisht ku ato jetojnë nëse jetojnë në Tiranë, në kryeqytet, nëse jetojnë në Burrel, nëse jetojnë nëpër fshatrat e Matit, pra kudo që ata jetojnë, të kenë bindjen që janë të mbrojtur nga shteti ligjor”, - ka deklaruar dje presidenti.
Sfida
Presidenti e ka etiketuar si betejën më të rëndësishme imunizimin e sistemit të Drejtësisë nga ndërhyrjet, duke e konsideruar madje dhe si detyrën e tij primare këtë gjë. “Unë sot vij këtu me cilësinë e Presidentit të Republikës. Natyrisht, në këtë foltore kam ardhur dhe herë të tjera vite më parë, me një cilësi tjetër, por gjithmonë me mendimin dhe besimin për t’i shërbyer popullit shqiptar dhe institucioneve të shtetit. Sot, sfida më e madhe për vendin tonë është pa dyshim ajo që ka të bëjë me institucionet dhe një ndër institucionet më të rëndësishme është institucioni i Drejtësisë”, - u shpreh dje presidenti. Në këtë kontekst presidenti ka shtuar se funksionimi i një sistemi të rregullt dhe kushtetues të Drejtësisë do të sjellë dhe “qetësinë shoqërore” dhe harmoninë e respektin brenda komuniteteve. “Është shumë e rëndësishme, pavarësisht nga këndvështrimet tuaja politike, të dihet dhe të ruhet harmonia, sepse nuk ka gjë më të rëndësishme sesa harmonia midis njerëzve të thjeshtë, midis qytetarëve, sepse vetëm nëpërmjet harmonisë, dhe kjo është traditë e popullit shqiptar, këtu jetojnë fe të ndryshme, njerëz që mund të kenë bindje të ndryshme, por që tek e fundit janë njerëz që dëshirojnë të jetojnë të qetë, në harmoni, dhe të ndërtojnë të ardhmen e tyre. Unë kam besimin e plotë që populli i Matit, i Burrelit, ka ditur të kalojë traumat e veta që janë të lidhura me episode të ndryshme gjatë viteve, por që jam i bindur se sot është i sigurt në të ardhmen e vet”, - u shpreh presidenti.
Thirrja
Më tej kreu i shtetit inkurajoi banorët e zonës për të mos neglizhuar pajisjen me kartat e identitetit, duke i inkurajuar ata për të qenë aktivë edhe në procesin zgjedhor. “Në fund të kësaj përshëndetjeje të shkurtër do të doja t’ju bëja një thirrje: Më 28 qershor janë zgjedhjet e përgjithshme politike. Unë ju bëj thirrje që të bëheni pjesë masivisht në këto votime dhe kusht paraprak që të merrni pjesë, natyrisht që është pajisja me kartat e identitetit, që janë shumë të rëndësishme për çdo person. Duhet patjetër që të merrni pjesë në këtë eveniment shumë të rëndësishëm, që ka të bëjë me administrimin e fateve tuaja, pastaj gjithsecili ka bindjet e veta politike. Unë ju falënderoj për këtë mikpritje dhe natyrisht që do të jem në një bashkëbisedim nga afër me përfaqësues të pushtetit vendor, por për të trajtuar problemet e drejtpërdrejta që ju keni dhe që keni nevojë t’ia transmetoni dhe Presidentit të Republikës. Faleminderit!” - tha presidenti.

14 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›