E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria kërkon imunitetin e Neranxit. Deputeti: “Është aksion i porositur”

Për herë të parë Prokuroria kërkon imunitetin e një deputeti të opozitës

Habjon Hasani

Tiranë - Prokuroria e Përgjithshme ka kërkuar heqjen e imunitetit për deputetin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Nikollaq Neranxi, i cili akuzohet për kontrabandë mallrash. Neranxi, nga ana e tij, ka mohuar çfarëdolloj implikimi në kontrabandë, duke dhënë detaje mbi një aksion që, sipas tij, është i motivuar politikisht. Burime nga organi i akuzës bëjnë të ditur se dje i është dërguar një shkresë Kuvendit për të kërkuar leje për ndjekje penale për deputetin Neranxi, që do ta çojë Kuvendin në votim për heqjen e imunitetit të deputetit të LSI-së. Mësohet se akuza që rëndon mbi deputetin Neranxi është kontrabandë mallrash me vlerë më të madhe se 13 milionë lekë të rinj. Deputeti i LSI-se disponon një firmë private në fushën e lëndëve ushqimore. Prokuroria bën të ditur se hetimet kanë nisur sapo Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka bërë kallëzimin në muajin janar të këtij viti.
Neranxi
“Kërkesa për heqjen e imunitetit tim është një formalitet i panevojshëm, pasi gatishmëria ime për t’u përballur me kësi akuzash ka qenë e pohuar publikisht. Por skenari për ta përdorur këtë akt si ndëshkim të opozitarizmit parlamentar do t’u mbetet si letër e zhubrosur në duar atyre që e ideuan. Unë kam qenë dhe do të jem një model i qytetarit me ndërgjegje dhe sjellje institucionale”, - ka komentuar dje gjatë një deklarate për shtyp deputeti. Në deklaratën e tij, Neranxi pretendon se prej disa kohësh ishte vënë në dijeni nga persona që ishin thirrur në prokurori për këtë çështje, ndërsa prokurorët i kishin pyetur këta persona posaçërisht mbi emrin e deputetit Neranxi. Pas këtij informacioni, më datë 2 mars 2009 Neranxi pretendon se i ka kërkuar takim prokurorit të ngarkuar me këtë çështje, i cili, sipas Neranxit, gjatë seancave të pyetjes me persona të ndryshëm ka insistuar të nxjerrë lidhje dhe implikime mes deputetit dhe personave të hetuar në dogana. “Në datën 11 mars 2009, me kërkesën me numër protokolli 305, i jam drejtuar me shkrim prokurores së Përgjithshme, zonjës Ina Rama, e cila më është përgjigjur në datën 12.03.2009, në të cilën më bëhet dijeni se takimi mund të zhvillohet te prokurori Arben Kraja në datën 26 mars 2009”, -shprehet Neranxi.
Akuzat
“Deklaroj se e gjitha kjo është një farsë radhe kundër një opozitari të vendosur. Kjo është një luftë politike, e cila tenton të përkthehet edhe si kosto financiare për biznesin e familjes sime. Kjo akuzë vjen në kohën kur unë me fakte, dokumente, lëvizje dhe sinqeritet politik kam denoncuar korrupsionin e qeverisë, i cili jo vetëm ka varfëruar qytetarët e këtij vendi, por ka sakatosur edhe biznesin shqiptar në tërësi. Unë kam denoncuar vjedhjet e pronave dhe tokave në Shqipëri dhe në veçanti në vendlindjen time, Himarë. Unë kam denoncuar skemat e evazionit fiskal të aplikuara nga rrjeti nepotik i Ridvan Bodes, unë kam kontribuar në vise të ndryshme të vendit për përkrahjen e të varfërve dhe të vobektëve të kësaj shoqërie”, - ka deklaruar dje deputeti i LSI-së. Madje, më tej në deklaratë, Neranxi pretendon për presione të vazhdueshme mbi biznesin dhe familjen e tij. “Gjatë këtyre katër vjetëve, qysh në momentin kur kam kryer lëvizjen time politike prej opozitari të kalimit nga një forcë politike pjesëtare e koalicionit qeverisës, ka startuar edhe ideimi dhe nisja e hetimit politiko-doganor ndaj biznesit tim. Publiku e mban mend mirë se pak muaj pas kalimit tim si deputet i opozitës, mbi kompaninë e familjes sime vërshuan gjoba dhe penalitete arbitrare financiare”, - u shpreh dje Neranxi në deklaratën për shtyp.

14 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›