E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topolanek: “Bllokimi i zgjerimit është rruga e shkatërrimit”



Kryeministri i Çekisë, vend i cili mban presidencën aktuale të BE-së, Mirek Topolanek, paralajmëroi dje se bllokimi i zgjerimit dhe futja e pengesave të reja në Europë është rruga drejt shkatërrimit. Një deklaratë të tillë kreu i qeverisë së Pragës e bëri në një sesion pyetjesh on line, duke iu përgjigjur agjencisë “Euroactiv”. Topolanek është shprehur fuqimisht për një afrim më energjik të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së, duke thënë se ashtu si me Kroacinë, duhet të jepet mbështetje edhe për aspiratat e vendeve të tilla si Serbia, Mali i Zi, Maqedonia dhe Shqipëria.
“Qytetarët e vendeve që përpiqen që të pengojnë zgjerimin e mëtejshëm të BE-së janë edhe kundërshtarë të ideve themelore të Komunitetit Europian. Misioni i civilizimit dhe zgjerimi i hapësirave të sigurisë, prosperitetit dhe lirisë duhet të jenë motor i përhershëm, pasi këto janë vlerat mbi të cilat është themeluar edhe Bashkimi Europian”, - tha Topolanek. Më tej, ai vijoi duke thënë: “Barrierat dhe muret janë rruga drejt shkatërrimit. Duke cituar Uinston Çurçillin, ai u shpreh se pa integrimin gradual të Ballkanit Perëndimor, por në të njëjtën kohë duke këmbëngulur që të respektohen plotësisht kriteret e Kopenhagenit, BE do të krijojë një “problem të ri në kërthizën e Europës”. Topolanek këmbënguli se qëndrimi i vendit të tij, në fakt, është qëndrimi i shumicës brenda në BE. Kryeministri çek iu përgjigj edhe çështjeve të tjera në lidhje me zgjerimin. “Rezervimet e disa shtetasve europianë në lidhje me zgjerimin e mëtejshëm të BE-së, në fakt, janë fyerje për mua dhe ishin të tilla edhe pesë vjet më parë, në kohën kur Republika Çeke iu bashkua BE-së”, - u shpreh kreu i qeverisë së Pragës. Ai shtoi: “Ka një numër të madh njerëzish pas kangjellave të BE-së që në mënyrë të ngjashme vuajtën nën zgjedhën e regjimeve totalitare komuniste dhe akoma besojnë në të njëjtat vlera që ne shpallim. Pse nuk u jepet shansi i fundit atyre, ashtu siç na u dha edhe neve?”, - tha Topolanek. Dy ditë më parë, përfaqësuesja diplomatike e Çekisë në Tiranë u shpreh për “Albania”-n se aplikimi i kërkesës së qeverisë shqiptare për anëtarësim do të bëhet gjatë presidencës së vendit të saj. Madje, ajo pohoi se do të ketë një takim shumë shpejt mes kryeministrit Topolanek dhe kreut të qeverisë shqiptare, Berisha. Por, burime për gazetën bënë të ditur se “zelli i presidencës çeke për hedhjen e këtij hapi nga Tirana zyrtare është kritikuar nga ambasadorë të tjerë të vendeve të BE-së në vendin tonë, pasi ata janë shprehur që një kërkesë e tillë të bëhet pas zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit.

Albert Gjoka

14 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›