Berisha-Mediu, dy orë kokë më kokë
Kryeministri Sali Berisha ka pritur dje për më shumë se dy orë në zyrën e tij ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediun. Emri që do të zëvendësojë Mediun në postin që ai ka drejtuar 30 muajt e fundit, ka qenë thelbi i takimit mes kryetarit të demokratëve dhe atij të republikanëve. Takimi mes Berishës dhe Mediut ka qenë kokë më kokë, ku thelbi i bisedës ishte pozicioni i republikanëve në qeveri, situata në Gërdec, por nuk përjashtohet mundësia e çështjeve të tjera, të cilat ata kanë preferuar që të mbeten larg vëmendjes së mediave. Një orë pasi ish-ministri Mediu ndodhej në zyrën e Berishës, ka mbërritur edhe kandidati për postin e një ministri në kabinet, Neritan Alibali. Burime pranë Partisë Republikane bënë me dije, propozimin e kryetarit Fatmir Mediu për liderin e PD-së. Sipas burimeve mësohet se Mediu i ka kërkuar kreut të qeverisë se deri në mbajtjen e Samitit të Bukureshtit të mos bëjë lëvizje në kabinetin qeveritar, por të emërojë përkohësisht një nga zv/ministrat e Mbrojtjes, Petrit Karabinën ose Zana Xhukën në krye të ministrisë. Motivi i kësaj kërkese të bërë nga kreu i republikanëve ka për qëllim imazhin e Shqipërisë në sy të ndërkombëtarëve. Lëvizjet e ministrave në kabinet pak ditë para Samitit të Bukureshtit ku Shqipëria pret edhe të marrë ftesën e anëtarësimit në NATO, pritet të lërë një shije të hidhur në sytë e të huajve. Një skemë tjetër për të përfshirë republikanët në qeveri është kalimi i Neritan Alibalit në postin e ministrit të Kulturës, duke lënë jashtë qeverisë në këtë rast një nga ministrat që i ka shkaktuar jo pak probleme Kryeministrit kohët e fundit, Ylli Pangon. Dy emra favoritë për të zëvendësuar Fatmir Mediun janë një aleat i PD-së, Arian Starova, dhe një nga miqtë e ngushtë të Presidentit Bamir Topi, deputeti i PD-së, Dashnor Sula. Shefi i Këshillit të Ministrave deri në këto momente është duke akumuluar të gjitha informacionet e mundshme për të vendosur më pas se cilët do të jenë anëtarët e rinj të qeverisë me të cilët do të prezantohet përpara elektoratit në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2009. Burime pranë Kryeministrit pohojnë se në postin e ministrit të Mbrojtjes duhet të jetë një figurë profesioniste në mënyrë që Shqipëria të ketë një paraqitje sa më të mirë në 2-4 prill në Samitin e Bukureshtit. Janë një seri emrash, të cilat i janë propozuar Kryeministrit për të zëvendësuar Fatmir Mediun. Ajo që bëhet publike është vetëm fakti se ministri i ri i Mbrojtjes nuk do të jetë nga radhët e Partisë Republikane.