Braçe: Zyrtarë të lartë të përfshirë në trafikun e armëve
Zyrtarë të lartë të shtetit shqiptar janë të përfshirë në trafikun e armëve. Ky ishte konstatimi i djeshëm i nënkryetarit të grupit parlamentar socialist, Erion Braçe. Sipas tij, pasi u korruptua antikorrupsioni, tani po ndodh ajo që është më fatkeqja për një shoqëri, po korruptohet edhe akti i dorëheqjes, me qëllim që të mbyllet e vërteta dhe të mos shkojë deri në fund. "Ne jemi të vendosur të kërkojmë deri më një hetimin e kësaj çështjeje dhe daljen e së vërtetës deri në fund, si një vepër e rëndë kriminale me pasojë vrasjen dhe që ka në thelb të saj korrupsionin dhe trafikun e armëve", u shpreh Braçe. Duke siguruar se opozita disponon prova të plota për trafikun e armëve nga Shqipëria dhe që implikon nivelin më të lartë zyrtar të qeverisë së Republikës së Shqipërisë. Braçe sqaroi se ligji 8671, datë 26.10.2000 për pushtetin dhe autoritetin e komandimit të drejtimit strategjik të Forcave të Armatosura të RSH në disa nene e ngarkon Kryeministrin me përgjegjësi të drejtpërdrejtë në këtë çështje. "Këshilli i Ministrave përcakton afatet e shërbimit dhe të përdorimit të armëve të teknikës dhe të pajisjeve të Forcave të Armatosura, rregulla për trajtimin e tyre pas heqjes nga armatimi dhe përdorimi", tha Braçe. Sipas tij, është ky ligj që e bën përgjegjës dhe e detyron Kryeministrin e Shqipërisë të merret me çështjen e municioneve dhe të armatimit të ushtrisë shqiptare në këtë vend. "Kryeministri i vendit duhet të dijë, që duhet të kishte dijeni të plotë për ngjarjen dhe mospërmbushja e detyrimeve, që i ngarkon ky ligj Kryeministrit të vendit natyrisht që është shpërdorim detyre dhe jo paaftësi", insistoi Braçe. Duke iu referuar vendimit numër 138 të Këshillit të Ministrave, ai insistoi se ai është firmosur nga Sali Berisha, dora vetë dhe ngarkon me përgjegjësi një institucion të rëndësishëm të qeverisë së tij, Ministrinë e Mbrojtjes për të mbikëqyrur deri në një këtë proces çmontimi të municioneve. "Në zbatim të këtij vendimi janë lidhur dy kontrata me kompaninë ‘Southern Ammunition‘, dy kontrata të cilat janë në kundërshtim total me vendimin e qeverisë, që mban numrin 138 të marsit të vitit 2007", sqaroi Braçe. Në kontratë thuhet qartë, që furnizimi me municion do të bëhet çdo ditë dhe në përputhje me kapacitetet e çmontimit dhe demilitarizimit, ndërkohë që në Gërdec është kthyer reparti ushtarak në depo armatimi për muaj të tërë, duke mbajtur municione në brendësi të tij, në fusha dhe në ambiente tejet kapaciteteve dhe tejet kontratës së nënshkruar midis palëve përgjegjëse. "Për të arritur te pika tjetër e kontratës, ku ngarkohet ‘Meico‘ dhe ky është edhe krimi më i rëndë, të përgatisë dhe të japë lejet për punëtorët, me qëllim që ata të hyjnë në këtë zonë ushtarake", theksoi Braçe. Socialistët konkludojnë se ngjarja e Gërdecit është një krim i pastër, që ka sjellë si pasojë vrasjen e dhjetëra njerëzve, plagosje të disa qindra njerëzve dhe shkatërrim të pasurisë private në një territor shumë të gjerë, që kap vlerën e miliona, miliona eurove.