Kontrata, misteri i ortakëve
Kompania shqiptare, që u mor me çmontimin e predhave dhe municioneve në Gërdec të Vorës, fsheh në vetvete mistere të njëpasnjëshme. Në faqen zyrtare të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, rezulton se subjekti "Albademil" është e regjistruar në bashkëpronësi të Mihal Delijorgjit dhe përfaqësuesit amerikan Patrick Cornelious Henry III. Në të dhënat e KQR-së, numri unik i identifikimit të subjektit është K71724017Q dhe data e regjistrimit shënon 28 dhjetor 2006. Në të njëjtën datë është shënuar edhe themelimi i kësaj shoqërie me përgjegjësi të kufizuar. Selia e saj është e deklaruar në Vorë, Gërdec, Tiranë dhe kapitali është në masën 100.000,00 lekë. Objekti i kësaj shoqërie të regjistruar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit është "çmontimi, demilitarizimi, eksporti i armatimeve të të gjitha llojeve të kalibrave etj". Në dokumentacion paraqiten dy përfaqësuesit ligjor të firmës, përkatësisht Mihal Delijorgji dhe Patrick Cornelious Henry III. Ata figurojnë si ortakë në këtë shoqëri, ku përfaqësuesi amerikan ka 25% të saj dhe Mihal Delijorgji 75% të firmës. Këto fakte të lënë të kuptosh se firma amerikane që ka fituar tenderin për blerjen e skrapit ka nënkontraktuar një firmë shqiptare në konflikt interesi. Pronari i firmës amerikane njëkohësisht rezulton edhe bashkëpronar i firmës shqiptare "Albademil". Fakt ky që hedh poshtë shumë pretendime të deklaruara gjatë këtyre ditëve nga përfaqësuesit e firmës amerikane, që nuk kishin të bënin me aktivitetin e pas muajit dhjetor 2007. Po sipas të dhënave të QKR-së, Delijorgji ka katër shoqëri tregtare: e para, "Albademil" me numër K71724017Q; e dyta "Park Construction Albania" me numër K52322003B e krijuar në 08.07.2005; e treta "Përparim SA" me numër J62903761P e krijuar në 01.07.1996 me qendër në Dropullin e Poshtëm; e katërta është "Përparimi SA" me numër J81906504A, e krijuar në vitin 1998 dhe me qendër në Shkozet të Durrësit. Pas kontratave të publikuara nga Ministria e Mbrojtjes, rezultoi se Patrick C. Henry III është personi që ka firmosur kontratën mes kompanisë shtetërore "Meico" në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes dhe "Southern Ammunition Company Inc." në rolin e blerësit të përfaqësuar nga ky njeri.
Majko: Çmontimet i bënim vetëm në uzina
Ish-ministri: Për tanket "Deimler Benz" nënkontraktoi Delijorgjin
Ashtu sikurse tani, edhe në vitin 2003 firma e Delijorgjit, "Përparimi", ishte nënkontraktor i një kompanie të fuqishme, që lidhi kontratë me Ministrinë e Mbrojtjes, e cila drejtohej nga Pandeli Majko. Çka u ligjërua me vendimin numër 232, datë 10.04. 2003. Ish-ministri socialist i Mbrojtjes nuk e mohon këtë, por specifikon se "ky ka qenë nënkontraktor i një kontrate që ne bëmë me ‘Deimler Benz‘, për të prerë struktura ushtarake, armatim që ne nuk mund ta demontonim në uzinat tona ushtarake. Bëhej fjalë për tanke e artileri të rëndë". Sipas Majkos, ata sollën një teknologji tepër të veçantë dhe gjetën çmimin për këtë mall. "Sipas asaj çka vijoi qëndrimi, ka qenë përgjithësisht korrekt. Ka pasur zëra, por ne e morëm me ngadalë. Unë e çova vetë i pari në prokurori kur u hodhën dyshime, në mos gaboj në vitin 2004", shprehet Majko. Por në 24 prill të vitit 2004, nënkontraktuesi, pronari i firmës që atëherë quhej "Përparimi", shoqërohet në prokurori. Ai u akuzua për evazion fiskal, por u la në gjykim të lirë, pasi pagoi 1.2 milionë dollarë garanci. Këto procese gjyqësore nuk i tronditën aspak pozitat e Delijorgjit si nënkontraktor. "Ka pasur një ndjekje penale për të. Ne patëm një lloj stepjeje, por me thënë të drejtën ne kontratën e kishim me ‘Deimler Benz‘. Për atë kontratë ka ardhur në Shqipëri zëvendëspresidenti i kësaj kompanie. Kishim marrëdhënie për blerje në këmbim të kësaj kontrate të 20 mjeteve ‘Mercedez Benz‘", sqaron Majko. Në vlerësimin e Majkos nuk diskutohej në këtë moment një histori e tipit çfarë ndodh në Shqipëri. "E përsëris që me ne nuk ka pasur probleme të tilla si taksa apo siguracione në asnjë moment", thekson Majko. Duke shtuar se në qeverisjen socialiste u bë vetëm gjysma, që i përkon edhe kohës kur erdhi qeverisja e Partisë Demokratike. "Kontrata ka vijuar më pas në qeverisjen e re, që erdhi më pas, por gjatë kohës sonë nuk kishte asnjë kontratë për demontimin e municioneve", sqaron Majko. Pas ndërrimit të pushteteve Delijorgji vijoi aktivitetin e tij të suksesshëm si nënkontraktor i Ministrisë së Mbrojtjes, duke marrë kontrata të reja për firmën tashmë me emrin "Albademil", këtë radhë jo për tanket, por për çmontimin e municioneve në fabrikën e Gërdecit. Vendi ku ndodhi edhe tragjedia më e fundit me shumë vdekje dhe plagosje njerëzish. Në këtë pikë, ish-ministri i fundit i Mbrojtjes distancohet nga ngjarjet që i kanë prirë Gërdecit. Municionet, thotë Majko, në kohën e qeverisjes socialiste çmontoheshin vetëm në uzinat ushtarake në Poliçan, Mjekës dhe Gramsh. "Demontimi i municionit në Republikën e Shqipërisë në atë kohë është bërë vetëm në uzinat tona ushtarake. Këtë nuk arrij ta kuptoj, një qeveri që bën demontime në Poliçan dhe në një vend tjetër, pse duhet të mos e fuste brenda sistemit por të caktonte një vend të papërshtatshëm", vlerëson Majko.