Prishja e kontrates me vdekjen
Shfajësimet e vazhdueshme të Kryeministrit për të shpëtuar vetveten nga përgjegjësia e plotë qeverisëse për katastrofën e Gërdecit, janë tepër ogurzeza dhe, si të tilla, ato parathonë tragjedi të reja. Në betejat mediatike me gazetarë, Berisha, hipur mbi kalin gërmuq të papërgjegjshmërisë, vringëllin shpatën e shfajësimeve qesharake mbi jetët e njerëzve të masakruar, duke i shtuar kësaj tragjedie shqiptare dimensionin e tmerrshëm të tragjikomedisë. Shfajësimet vrasëse të tij, se ai nuk ka dijeni për punën e fëmijëve në "fabrikën e vdekjes" dhe, se qeveria nuk ka pasur kontratë me subjektet e përfshira në procesin e demontimit të municioneve, janë tërësisht ogurzeza dhe parashikojnë se tragjeditë nuk do të kenë të sosur.
Që pas konferencës së parë për shtyp, investigimet e medias e rrëzuan tentativën e Berishës për të shfajësuar Ministrinë e Mbrojtjes, e cila, sipas tij, kishte përgjegjësi vetëm për transportimin e municioneve në fabrikë. Media publikoi menjëherë vendimin përkatës të qeverisë që ngarkonte këtë ministri me organizimin dhe mbikëqyrjen e procesit të demontimit të predhave, i cili rezultoi fatal. Të nesërmen e këtij publikimi ministri përgjegjës dha dorëheqjen dhe Kryeministri filloi të mbrojë drejtpërdrejt vetveten. Mediat denoncuan më pas me dëshmi të gjalla dhe me filmime shfrytëzimin e përbindshëm të punës së fëmijëve në një fabrikë vdekjeprurëse, që u shndërrua në një krematorium të kohës së nazizmit. Pafajësia tragjike e fëmijëve të demontuar në fabrikën e gjakpirësve qëndron si një akuzë e lemerishme përballë justifikimeve të turpshme të Kryeministrit tonë ogurzi.
Shfajësimi djallëzor i Kryeministrit, se qeveria nuk ka pasur kontratë me subjektet që kryenin procesin e demontimit të municioneve, tregon kulmin e papërgjegjshmërisë së tij politike, morale dhe deri njerëzore. Kjo papërgjegjshmëri e theksuar e ka bazën në thelbin e karakterit të tij tërësisht demagogjik, demagogji që jo rrallë ka degjeneruar në krim social dhe politik. Kjo demagogji shfaqet dukshëm në fjalime dhe premtime patetike si edhe në programet e politikës elektorale dhe qeverisëse. Por ky Kryeministër ogurzi i harron menjëherë premtimet e tij të shfrenuara. Ai harron se në bazamentin e programit politik dhe qeverisës të mazhorancës që përfaqëson, qëndron kontrata e qeverisë së tij e lidhur me shoqërinë shqiptare për mbrojtjen dhe prosperitetin e jetës së kësaj shoqërie dhe pjesëtarëve të saj.
Në këtë kontekst tepër të qartë politik, qeverisja e tij e shkeli rëndë, e prishi këtë kontratë për mbrojtjen dhe zhvillimin e jetës së shqiptarëve. Nuk dihen ende shkaqet e plota, por kjo qeveri e Berishës bëri kontratë me vdekjen. Rrjedhojë e saj është vdekja, gjymtimi fizik dhe shkatërrimi i jetës ekonomike e sociale të mijëra shqiptarëve të pafajshëm. Kjo kontratë e qeverisjes së djathtë me një vdekje makabër që traumatizoi tërë shoqërinë shqiptare, u realizua në fabrikën-crematorium që më shumë se predha, demontoi jetën e tërë banorëve të Gërdecit. Ata kërkojnë që krahas ndërtimit të ndërtimit të shtëpive të shkatërruara dhe rindërtimit të jetës së tyre ekonomike, sociale, shpirtërore e psikologjike, duhet bërë me përparësi demontimi i qeverisë "Berisha". Kjo do të jetë prishja e kontratës me vdekjen. Është imperative/////////////// i kësaj situate më shumë se tragjike.