Laska: 31 mars, skadon afati
Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP) u kërkon zyrtarëve që mbartin detyrim për deklarim të interesave private, të dorëzojnë sa më shpejtë deklaratat e pasurisë periodike/vjetore dhe të pasqyrojnë me saktësi ndryshimet në interesat e tyre pasurore gjatë vitit 2007. Pavarësisht faktit se ligji parashikon datën 31 mars si afatin e fundit për zyrtarët që të deklarojnë pasurinë, ILDKP-ja vëren me shqetësim se deri më 17.03.2008, nga rreth 3700 zyrtarë që duhet të deklarojnë periodikisht, në sektorin e pranim-regjistrimit në ILDKP janë dorëzuar vetëm 748 deklarata, ose rreth 20 për qind e tyre. Inspektorati u rikujton zyrtarëve që mbartin detyrim për deklarim të interesave private se, "për mosdeklarim periodik në afat dhe pa shkaqe të arsyeshme, zyrtari ose personi i lidhur me të, që mbart detyrimin për deklarim, dënohet me gjobë nga 20 000 (njëzet mijë) lekë deri në 30 000 (tridhjetë mijë) lekë". Kjo, bazuar në nenin 44, pika 1/b e ligjit nr. 9367, dt. 7.4.2005 "Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike". Gjatë vitit 2007, Inspektorati i Lartë vendosi për vonesa në deklarimin periodik/vjetor, masën administrative "gjobë" për 100 subjekte, si edhe dorëzoi kallëzim penal në prokurori për 12 zyrtarë që refuzuan të deklaronin. Deri në datën 17 mars, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka dorëzuar 513 deklarata, qarqet 99, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave 82, ZQRPP 35, Policia e Shtetit 31, METE 26, Universitetet 20, Bashkia e Tiranës 14, M. Mbrojtjes 12. Në po këtë listë të atyre që kanë depozituar deklarata deri më tani figuron Presidenca me 10 deklarime, Kuvendi 9, MPÇSHB 8, M. Arsimit & Shkencës 7, AKKP 6, M. Drejtësisë 6, Ujësjellës-Kanalizime 6, ATSH 5 dhe M. Shëndetësisë 5 deklarata. Përveç institucioneve të lartpërmendura, të tjerat rezultojnë se kanë dorëzuar më pak se 5 deklarata.