Gërdeci, prag revolte në PD
Katastrofa e 15 marsit, përveçse ka tronditur qeverinë, i ka dhënë një lëkundje të fuqishme edhe selisë blu, partisë më të madhe të mazhorancës qeverisëse. Dy rrymat ekzistuese politike brenda Partisë Demokratike, të prekura nga reaksioni zinxhir që sjell kriza e mazhorancës dhe agresiviteti i opozitës, kanë nxjerrë në sipërfaqe pakënaqësitë e radhës ndaj atyre që sot janë të ulur në karriget e pushtetit. Dy grupimet e shumëpërfolura brenda PD-së kanë nisur që të përgatiten për analizën e ngjarjeve tronditëse që preku fshatin e cilësuar nga Kryeministri Berisha si zonë të fatkeqësisë. Skenari i lëvizjeve të fundit brenda Partisë Demokratike nuk është duke u përpiluar në selinë blu, e cila qëndron në heshtje prej kohësh, por nga dy grupime demokratësh. Këta të fundit kërkojnë të jenë sa më afër pushtetit. Një pjesë tjetër e deputetëve, e cila nuk kërkon që të vërë publikisht gishtin tregues të fajit mbi drejtuesit e qeverisë, ka preferuar të qëndrojë në heshtje, duke e cilësuar situatën në qeveri dhe në partinë më të madhe qeverisëse më tepër se dramatike. Një pjesë e deputetëve demokratë kërkojnë që Komisioni i Sigurisë, i mbledhur nga Presidenti i Republikës, të analizojë situatën dhe të nxjerrë shkaktarët e vërtetë të tragjedisë së fshatit Gërdec. Gjakrat e të pakënaqurve në PD do të nxehen menjëherë sapo të dalin fajtorët e vërtetë, për të përfituar në këtë mënyrë një përfshirje në kabinet të atyre demokratëve të cilët nuk kanë mundur dot të shijojnë pushtetin gjatë mandatit që iu besua më 3 korrik të vitit 2005. Ish ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj, deklaroi dje për "Top Channel" se qeveria duhet të bëjë analizën e situatës në mënyrën më serioze dhe të hollësishme. Deklarata e Mustafajt, ishte një indikacion i qartë për nisjen e një stine debatesh në selinë blu.
Aktualisht janë dy rryma të kundërta brenda PD-së. E para drejtohet nga të vjetrit brenda partisë më të madhe në vend. Ky grupim pretendohet se drejtohet nga Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Kjo rrymë kërkon që aleatët e qeverisë të mos marrin përgjegjësi të madhe në qeverisje, për shkak se Partia Demokratike përfaqësohet shumë pak në kabinet për të qenë më afër elektoratit. Sipas tyre, Partia Republikane nuk ndikohet aspak nga dështimet në qeverisje dhe pesha më e madhe e fajit i faturohet partisë në pushtet. Sipas këtij grupimi, përgjegjësia e Partisë Demokratike duhet të përkthehet me poste ekzekutive. Grupimi i deputetëve kundër ish-kryetarit të grupit parlamentar demokrat pohon se nuk është dëgjuar zëri i elektoratit. Kohët e fundit është vënë re që edhe baza e Partisë Demokratike është përplasur me zgjedhësit. Ajo çka saktësisht kërkon grupi i të vjetërve në PD është riformatimi i qeverisë për të marrë pjesën e luanit. Aktualisht, në kabinetin qeveritar ndodhen vetëm tre ministra nga radhët e të vjetërve brenda PD-së, pjesa më e madhe e ministrave i përkasin të rinjve. Jemin Gjana dhe Ridvan Bode janë dy figurat e vjetra të PD-së, të cilët bëjnë pjesë në grupin e Topallit, ndërsa Genc Ruli mund të cilësohet si një ministër i cili qëndron jashtë grupimeve brenda PD-së. Gjashtë ministra dhe një zv.kryeministër janë të ardhur në Partinë Demokratike, madje gjysma e tyre më 2005-ën kanë fituar mandatin e deputetit për herë të parë. Pesë dikastere në qeveri drejtohen nga aleatët, të cilat administrojnë rreth 80% të buxhetit të shtetit, duke lënë në hije në këtë mënyrë pushtetarët demokratë. Duke qenë në pozicione të rëndësishme në qeveri, aleatët kanë mundur të rregullojnë militantët e tyre me vende pune, duke larguar nga puna pa të drejtë, jo vetëm mbështetësit e socialistëve, por edhe ata persona që më 3 korrik të 2005-ës votuan për Partinë Demokratike. Ky shkak ka bërë që të ashpërsohet reagimi i të vjetërve brenda kabinetit qeveritar. Grupimi i dytë brenda PD-së është ai i mbështetësve të Presidentit të Republikës, Bamir Topi. Ky grupim ka nisur përgatitjet për një "katarsis" në qeverisje, nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre. Sipas zërave brenda këtij grupimi, këta deputetë presin mbledhjen e Këshillit Kombëtar për të shpërthyer në deklaratat e veprimet e tyre, tashmë që e kanë një krahë të sigurt, të ngrohtë, atë të Presidentit të Republikës.