Topi, të premten, "dush të ftohtë" qeverisë
Thonë se çudia më e madhe tri ditë zgjat, por kjo shprehje duket se nuk zë vend në tragjedinë e ndodhur në fshatin Gërdec të Vorës. Pas deklaratave të shumta të bëra nga përfaqësuesit e politikës, por edhe nga populli, duket se të gjithë janë të një mendje në qëndrimin e tyre: Për fajtorët e kësaj tragjedie duhet të ketë ndëshkime mbi përgjegjësit dhe ndëshkime të rënda. Këtij qëndrimi i bashkohet edhe Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Kreu i shtetit kërkon që të vërë pikat mbi "i", duke i bërë një "dush të ftohtë" qeverisë. Ai ka njoftuar dje nëpërmjet zyrës së shtypit, se ditën e premte, më datë 21 mars, në orën 10:00, do të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Ashtu siç dihet, qëllimi i mbledhjes së Këshillit të Sigurisë është tragjedia e Gërdecit. Kreu i shtetit do të kërkojë informacion të plotë dhe të detajuar në lidhje me këtë ngjarje, si dhe do të përcaktojë më konkretisht strategjinë për sigurinë kombëtare. Kjo sepse tragjedia e Gërdecit tregoi qartë se në vendin tonë, përpos të gjithave, mungon edhe siguria kombëtare. Mbledhjen e Këshillit të Sigurisë, Presidenti i Republikës e ka paralajmëruar ditë më parë, duke theksuar se sapo të qetësohej disi gjendja dhe t‘u jepej ndihma e parë të lënduarve, do ta mblidhte atë. Në një konferencë për shtyp, më datë 16 mars, Presidenti Topi është shprehur se "që sapo të kalojë kjo emergjencë, që është e detyrueshme që të gjitha forcat të jenë në funksion të kalimit të kësaj emergjence, do të mbledh Këshillin e Sigurisë Kombëtare për të analizuar këtë situatë të rëndë, për të hetuar mbi shkaqet dhe ç‘ka është më e rëndësishme për të vlerësuar perspektivën e asaj që konsiderohet një problem i madh për Shqipërinë, çështjet e rezervave të mëdha me armatim, me municion dhe mënyrën e shkatërrimit të tyre". Kreu i shtetit, gjithashtu, thekson se ka inkurajuar dhe i ka kërkuar prokurorisë që të zhvillojë hetime profesionale për ngjarjen.