E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Merkel më mbështeti për heqjen e imunitetit

 

Kryeministri Sali Berisha tha dje në mbledhjen e qeverisë se kancelarja Angela Merkel vlerësoi faktin se maxhoranca është duke bashkëpunuar me opozitën për kufizimin e imunitetit të deputetëve. Duke raportuar para ministrave të kabinetit të tij, kreu i qeverisë u ndal në të gjithë pjesën e parë të mbledhjes së qeverisë në vizitën dyditore të zhvilluar pak ditë më parë në Berlin. "Unë bëra një ekspoze të arritjeve dhe të vështirësive. Kancelarja Merkel e vlerësoi shumë faktin, kur e informova se Parlamenti është në bisedime në bashkëpunim me opozitën për të kufizuar imunitetin sipas modelit të tyre. Në fakt kufizimi i imunitetit është një model që ekziston kudo. Disa veprime ndaj deputetit, në asnjë vend nuk kryhen pa lejen e parlamentit, por hapja e rrugës së hetimit është praktika më e avancuar", u shpreh kreu i qeverisë. Sipas tij, "Kancelarja Merkel tha se në këtë mënyrë ju shembni një mur dhe imunitetet janë një mur. Kancelarja u ndal tek domosdoshmëria jetike e luftës kundër korrupsionit, vlerësoi arritjet, por kërkoi që të bëhen përpjekje shumë të mëdha në luftën kundër korrupsionit në sistemin e drejtësisë, të Prokurorisë dhe në agjenci të tjera". Pak ditë më parë në Këshillin e Legjislacionit u ra dakord për amendimin e Kushtetutës për mënyrën e kufizimit të imunitetit parlamentar. PD dhe PS përcaktuan në këtë Këshill se ndryshimi duhet të realizohet me ndërhyrjen në ligjin themeltar të shtetit shqiptar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›