Vendimi, si do ndërtohet në pyje
BLEDAR HOTI
Këshilli i Ministrave në mbledhjen e djeshme të qeverisë mori vendimin për mënyrat e paraqitjes së kërkesës për tjetërsimin e sipërfaqes së pyjeve. Sipërfaqet deri në 1 ha do të firmosen nga ana e ministrit të Mjedisit, Lufter Xhuveli, ndërsa për sipërfaqet mbi 1-100 ha do të firmosen nga ana e kryeministrit. Gjithashtu në këtë vendim është përcaktuar se për sipërfaqe mbi 100 ha do të duhet vota e kuvendit për miratim. Në vendimin e djeshëm janë përcaktuar dhe rregullat e paraqitjes së kërkesës. Ministri i Mjedisit e cilëson këtë vendim si shkak i kërkesës në rritje për investime në këto zona nga investitorë të ndryshëm në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit. Ndërsa një vendim i tillë mund të shihet dhe si i dobishëm edhe për pronarët e tokave, të cilët mund të investojnë në pronat e tyre që kanë pyje dhe kullota.
Vendimi
Në pikën tetë të vendimit është përcaktuar dhe mënyra e tjetërsimit të pyjeve, ku për këtë procedurë përgjegjës është ministri i Mjedisit. "Pas shqyrtimit të dokumentacionit të mësipërm: a) ministri nxjerr urdhrin për heqjen nga fondi pyjor, për pyje dhe toka, me bimësi pyjore, me sipërfaqe deri në 1 ha;
b) ministria përgatit projektvendimin për heqjen nga fondi pyjor, për pyje dhe toka, me bimësi pyjore, me sipërfaqe mbi 1 ha e deri në 100 ha dhe e dërgon atë, për shqyrtim e miratim, në Këshillin e Ministrave; c) ministria përgatit projektligjin për heqjen nga fondi pyjor, për pyje e toka, me bimësi pyjore, me sipërfaqe mbi 100 ha, dhe e dërgon atë për shqyrtim në Këshillin e Ministrave, i cili, kur e gjen të rregullt, e përcjell në Kuvend, për miratim", thuhet në pikën 8 të vendimit. Praktikat e projektvendimit e të projektligjit nënshkruhen nga ministri i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave dhe nga ministri, që ka miratuar veprimtarinë.
Fondi kullosor
E njëjta procedurë përdoret edhe për kullotat. Në bazë të relacionit të Ministrisë së Mjedisit procedurat e ndjekura në këtë vendim janë të detyrueshme dhe për kullotat komunale, ku njësitë e qeverisjes vendore, të cilët kanë marrë në përdorim ose në pronësi në rast se kanë një kërkesë për heqje të një sipërfaqeje nga kullotat komunale. E njëjta procedurë ndiqet dhe për pyjet ku janë nën administrimin e bashkive dhe komunave. Për sipërfaqe deri në 1 ha, dhënien e lejes e firmos ministri i Mjedisit dhe Pyjeve, ndërsa Këshilli i Ministrave firmos për sipërfaqe mbi 1 ha. Qeveria ka miratuar gjithashtu dhe kriteret për përcaktimin e vlerës së dëmit të shkaktuar nga fondi kullosor. Zhdëmtimi përfshin: pagesën reale të dëmit të shkaktuar kullotës, livadhit ose objekteve infrastrukturore, si dhe koston për rikthimin e situatës në gjendjen e mëparshme. Ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, në lidhje me këtë vendim ka kërkuar që të merret vendimi edhe i dikasterit që ai drejton pasi kështu e kërkon dhe ligji "Minerar i Shqipërisë", ku është parashikuar përdorimi për miniera apo fabrika çimentoje.
Dokumentacioni që paraqitet për shfrytëzimin e pyjeve
1. Studimin e miratuar nga institucioni i ngarkuar me ligj për veprimtarinë që kërkohet dhe raportin e vlerësimit të ndikimit në mjedis.
2. Lejen apo kontratën me të cilin ka fituar të drejtën për ushtrimin e veprimtarisë së kërkuar.
3. Vërtetim nga QKR-ja
4. Planimetrinë e sipërfaqes së kërkuar në hartë topografike të dixhitalizuar dhe të gjeoreferuar në shkallë 1:10.000.
5. Vërtetim nga ZRRP-ja për gjendjen juridike të sipërfaqes në më momentin e bërjes publike të kërkesës.
6. Vërtetim nga AKKP-ja që sipërfaqja e propozuar nuk është në proces kthimi dhe kompensimi.
Shpërblimi i dëmeve të shkaktuara në fondin Kullosor
1. Dëmtim i pakthyeshëm i sip. të kullotave dhe
për miniera, stacione elektrike. 1000 lek/m2
2. Dëmtime të rikthyeshme 300-500 lek/m2
3. Dëmtim i sipërfaqeve të
kullotave nga instalimi i
vathave të palëvizshme 100 lek/m2
4. Dëmtim i sip. së kullotës dhe livadhit
nga depozitimi i mbeturinave 500 lek/m2