Topi lë Tirana-Milan për Napoletanon
Presidenti Bamir Topi në datën 14 tetor, do të takojë homologun italian Napoletano në Romë. Kreu i shtetit shqiptar është ftuar nga Presidenti italian në një takim dypalësh për të diskutuar rreth zhvillimeve shumë pozitive të të dy vendeve. Por në të njëjtën ditë, skuadra e tij e zemrës "Tirana", do të ndeshet në Tiranë me ekipin më të mirë të botës "Milan" në një ndeshje miqësore futbolli. Bamir Topi do të jetë i munguari më i madh i atij takimi, pasi njihen tashmë nga të gjithë lidhjet e tij shpirtërore me futbollin, e veçanërisht me ekipin kryeqytetas, ku para zgjedhjes së tij në krye të shtetit shqiptar, ai mbajti dhe postin e presidentit të nderit të ekipit të futbollit të Tiranës. Edhe pse takimi me Presidentin italian është një ngjarje e shumëpritur për çdo president shqiptar, për vetë rrethanat historike që lidh të dy vendet, kësaj radhe mendja e Presidentit Topi do të jetë tek 'yjet' e Milanit, që në ato momente do të ndeshen me "Tiranën" e "tij" në stadiumin "Qemal Stafa". Ndeshja, ëndërr për çdo shqiptar, nuk do të ketë në tribunën VIP atë ditë njeriun që ka ndjekur nga afër ekipin e Tiranës edhe në ndeshjet e superligës shqiptare.