Berisha; Merkel më mbështeti për heqjen e imunitetit
Gjermania mbështet Kryeministrin Sali Berisha në nismën ligjore për zhveshjen nga imuniteti të të gjithë deputetëve dhe njerëzve të drejtësisë. Berisha informoi dje stafin qeveritar se temë e diskutuar gjatë takimit me Kancelaren Merkel ishte lufta kundër korrupsionit, për të cilën ajo ka inkurajuar vazhdimin e përpjekjeve të mëdha në këtë luftë. Një ndër këto është dhe heqja e imunitetit si një model që ekziston kudo në vendet perëndimore. Por gjatë vizitës në Gjermani të Kryeministrit Berisha, Kancelarja Merkel ka specifikuar luftën kundër korrupsionit në mënyrë të veçantë në sistemin e drejtësisë, të prokurorisë dhe në agjenci të tjera. “Unë bëra një ekspoze të arritjeve dhe të vështirësive. Kancelarja Merkel e vlerësoi shumë faktin, kur e informova se Parlamenti është në bisedime në bashkëpunim me opozitën për të kufizuar imunitetin sipas modelit të tyre. Disa veprime ndaj deputetit, në asnjë vend nuk kryhen pa lejen e Parlamentit, por hapja e rrugës së hetimit është praktika më e avancuar”, - tha z. Berisha. Në mbledhjen e djeshme të qeverisë, ku Kryeministri informoi për vizitën e suksesshme dyditore në Gjermani, bëri të ditur se Kancelarja Merkel ka kërkuar me insistim që edhe Shqipëria të shembë murin e imunitetit. Sipas Berishës, Kancelarja u ndal tek domosdoshmëria jetike e luftës kundër korrupsionit, teksa vlerësoi arritjet, por gjithnjë duke vënë theksin tek kufizimi i imuniteti. Grupet parlamentare në Kuvend tashmë kanë rënë dakord për nisjen nga puna të hartimit të draft-amendamenteve për një ndryshim tjetër në Kushtetutë, që lidhet me kufizimin e imunitetit parlamentar. Mbledhja e Konferencës së Kryetarëve i hapi rrugën nisjes së procedurave parlamentare për realizimin e ndryshimeve në ligjin themeltar të shtetit, për të cilat Këshilli i Legjislacionit ngarkoi deputetët Ilir Rusmali (PD) dhe Ylli Bufi (PS). E vetmja forcë politike parlamentare e deklaruar kundër këtyre ndryshimeve është PSD-ja, e cila është shprehur kategorikisht kundër amendimit kushtetues, ndërsa LSI-ja do të japë mendim, pasi të njihet me draft-amendamentet. Vullneti politik i shprehur nga dy partitë e mëdha, PD dhe PS, për kufizim të imuniteteve është një pozicionim pozitiv i politikës, që lidhet me përmbushjen e angazhimeve të saj në kuadër të detyrimeve ndërkombëtare në luftën antikorrupsion. Por, ende mbetet e paqartë nëse kufizimi i imuniteteve do të prekë vetëm deputetët, apo edhe gjithë individët, që e gëzojnë këtë mandat sipas Kushtetutës. Ndërsa maxhoranca është shprehur e prerë për kufizimin e të gjitha imuniteteve, se, sipas saj, "personat me imunitet duhet të jenë të barabartë para ligjit, si të gjithë shtetasit e tjerë, PS-ja ende nuk ka një qëndrim, nëse ky proces do të arrijë deri tek gjyqtarët dhe personat e tjerë, që Kushtetuta i vesh me imunitet. Nisma për kufizimin e imuniteteve, që tashmë pritet të konkretizohet, i ka fillesat e saj rreth tre vjet më parë, me ardhjen e maxhorancës së djathtë në pushtet, pas zgjedhjeve të përgjithshme të 2005-ës.
Ndoka: Heqja e imunitetit, jo për gjyqtarët
Demokristianët shprehen kundër heqjes së imunitetit të njerëzve të drejtësisë. Sipas kryetarit Nard Ndoka, ata duhet të mbrohen nga politika. Kryetari i PDK-së që nga Puka e cilësoi dje projektligjin për heqjen e imunitetit të deputetëve si një demagogji politike. Sipas Ndokës, heqja e imunitetit bëhet thjesht për mburojë politike dhe jo për t'u mbrojtur nga korrupsioni. Sipas tij, imuniteti duhet të shërbejë për gjykatësit dhe prokurorët për të krijuar pavarësinë e duhur nga sulmet e vazhdueshme të politikës. Gjithashtu, Ndoka tha se reforma në drejtësi duhet të ndërmerret nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe jo nga politika e ditës.