ISKSH: Për pacientët të ketë dy lista barnash me rimbursim
• Jo më një listë barnash të rimbursueshme, por dy të tilla.zirina llambroKy është propozimi që Instituti i Sigurimeve Shëndetësore do t'i bëjë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Këshillit të Ministrave. "Ne tashmë kemi përfunduar draftin dhe që në mbledhjen e radhës të Komisionit të Listës së Barnave të Rimbursueshme do të bëjmë propozimin tonë konkret për të pasur më shumë se 1 listë barnash", tha dje gjatë analizës vjetore për vitin që shkoi, drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana. Sipas saj, propozimi është në fakt edhe një prej rekomandimeve zyrtare të Bankës Botërore. "Ideja është që të jetë një listë barnash bazë e cila do të mbulohet 100% nga ISKSH për shtresat në nevojë dhe të ketë një listë alternative e cila të jetë me bashkëpagesë mes ISKSH dhe pacientit", sqaroi Hana. Kjo do të mundësonte një kontroll më të mirë të skemës dhe do të ulë ndjeshëm abuzimet. Sakaq alternativa e re do krijonte mundësi për futjen e më shumë barnave të reja dhe cilësore në listë, të cilat do të bashkëpaguhen. Por drejtoresha theksoi se vendimmarrja për këtë propozim nuk i takon institucionit që ajo drejton. Skema e rimbursimitKëtë vit në listën e re të barnave me rimbursim duket se nuk do të shtohen ilaçe të reja. Këtë fakt e pranoi dje edhe drejtoresha e ISKSH. "Aktualisht lista që kemi është mjaft e gjerë, ajo mbulon 94% të sëmundjeve kronike dhe me fondet që kemi në dispozicion, e mbulojmë këtë listë, por e shoh të vështirë mbulimin e barnave të reja me këto fonde", tha Hana.Sa i përket rritjes së kontributeve shëndetësore nga 3.4 deri në 7.5% ajo theksoi se pritet të shihet mundësia që të bëhet një rregullim brenda taksimit që mbledh shteti në tërësi, nga të cilat një pjesë më e madhe të shkojë për sigurime shëndetësore, në mënyre që të mos cenohet pacienti. "Kontributet shëndetësore në Shqipëri, janë më të ulëtat në rajon, madje kontributet më minimale në rajon janë të paktën sa dyfishi i tonave. Rritja e kontributeve shëndetësore do të thotë një mbulim më i mirë i skemës dhe shtrirja edhe në sektorin spitalor", u shpreh drejtoresha e ISKSH., gjë e cila po ashtu është parashikuar në projektligjin e ri. Gjatë analizës vjetore të institutit u publikuan statistika nga të cilat rezulton se për vitin 2007 është rritur numri i vizitave në qendrat shëndetësore. Përpos tyre u bënë me dije masat e marra ndaj mjekëve e farmacistëve të cilët kanë shkelur rregullat e vendosura nga ISKSH. Në total numri i mjekëve të gjobitur për 2007 ka qenë 93 persona, ndërsa për farmacitë janë vendosur 10 gjoba si dhe u është ndërprerë kontrata 4 të tjerave. Shkelje e protokolleve të përdorimit të barnave dhe akteve të ISKSH-së për disa ilaçe të veçanta, mungesa të theksuara të kartelave me ekzaminime laboratorike, apo mos argumentim i saktë i ndryshimit të terapisë për disa raste janë disa prej shkeljeve më të shpeshta të evidentuara.Ndoka: Qendër traume edhe për QSUSpitali "Nënë Tereza" do të ketë një qendër traumatologjie të tijën ndërsa do të vijojë normalisht puna në Spitalin Ushtarak. Por sipas ministrit të Shëndetësisë, Nard Ndoka, qendra e re në QSU do të jetë më e specializuar. Deklaratën ai e bëri dje gjatë inspektimit të punimet për fazën e parë të ndërtimit të spitalit më të ri në QSU, i cili do të jetë gati në vitin që vjen. "Në këtë spital të ri me pesë kate, i cili pritet të përfundojë brenda vitit 2009, shërbimi i traumatologjisë në QSU do të jetë më i specializuar. Kjo do të thotë që edhe QSU, ashtu sikurse Spitali Ushtarak, do të ketë shërbimin e saj", tha Ndoka. Spitali i ri është financuar nga Banka për Zhvillim e Këshillit të Evropës (CEB), në vlerën 14 milionë USD dhe nga Qeveria shqiptare me 7,4 milionë USD. Ndërsa komponenti i pajisjeve mjekësore do të financohet nga Qeveria shqiptare me rreth 8 milionë euro. Në ndërtesën e re spitalore me 5 kate do të vendosen një sërë shërbimesh spitalore.