E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha Mesi e Ronaldo i Australise

Shkëlqimi i Besart Berishës në kampionatin Australian ka sjellë edhe vlerësimet më të larta për sulmuesin. Pas deklaratave të trajnerit të Brisbejnit, Ange Postekoglu, që e cilësonte ish-lojtarin e përfaqësueses shqiptare si futbollistin më të mirë të vitit në Australi, më mbrapa nuk mbeten as mediat, të cilat e krahasojnë me lojtarët më të mirë në planet.
Faqja “aussportsbetting.com” theksonte se “sulmuesi i Brisbejn Roar është ekuivalenti i Lionel Mesit apo Kristiano Ronaldos në kampionatin australian. Berisha është ylli i A-League”.
Elozhet kanë ardhur sepse falë formës dhe golave të Besart Berishës, Brisbejni është në garën për titullin kampion, ndërsa 26-vjeçari ka realizuar 19 gola në këtë sezon. Në këtë mënyrë, ai ka barazuar rekordin që mbahet nga Shejn Smetlzit, të vendosur në sezonin 2009/2010 ndërsa në ndeshjen e mbetur të kampionatit mund të vendosë një primat absolut.
Kjo fundjavë do të jetë vendimtare për sezonin e Besart Berishës. Brisbejni i tij renditet në vendin e dytë në klasifikim, me dy pikë më pak se kryesuesit e Sentrëll Kost Mariners.
Nëse Roar fiton përballë Gold Kost Junajtid dhe Mariners nuk arrijnë të fitojnë kundër Uellingtonit, atëherë sulmuesi dhe skuadra e tij do të festonin titullin. Gjithashtu, nëse Berisha arrin të shënojë, përveç “Këpucës së Artë” në këtë sezon, ai do të shndërrohej edhe në golashënuesin më të mirë në historinë e kampionatit australian.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›