Berisha: Mësuesit, promotorë kryesorë të dijes dhe zhvillimit të shoqërisë
Në vijim të veprimtarive të organizuara në Korçë, me rastin e 7 marsit, Ditës së mësuesit, Kryeministri Berisha mori pjesë në Konferencën Jubilare të zhvilluar në Universitetin Fan Noli të qytetit. Kjo konferencë mbahet në vitin jubilar të 100 vjetorit të Pavarësisë si dhe me rastin e 125 vjetorit të çeljes së shkollës së parë shqipe në Korçë.
Duke marrë fjalën, kryeministri Berisha u shpreh se ndihej i nderuar të përshëndeste nga kjo sallë të gjithë mësuesit dhe pedagogët e vendit, por edhe të të gjitha trevave shqiptare kudo që ndodhen. Duke shprehur vlerësim dhe respekt për misionin fisnik të mësuesit, kryeministri Berisha u shpreh se me këtë mision, ata janë dhe do të mbeten promotorë kryesorë të dijes dhe zhvillimit të shoqërisë sonë.
Në këtë kontekst, kryeministri theksoi se do të bëhet gjithçka që fakultetet e mësuesisë të jenë fakultetet më moderne dhe më rigoroze, duke u shndërruar në këtë mënyrë në qendra të fuqishme të kualifikimit dhe rikualifikimit të mësuesve, të përtëritjes dhe ripërtëritjes së dijes së tyre.
Në përfundim të aktivitetit u shpërndanë certifikata mirënjohjeje për përkushtimin e kontributin e tyre në fushën e mësimdhënies për katër mësues pas vdekjes, disa certifikata të tjera për mësues në pension dhe për mësues dhe pedagogë, aktualisht të angazhuar në arsim.