E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Stop” përdorimit të qeseve

07/03/2012  Qeveria vendos ndarjen e plehrave, riciklimin e tyre dhe detyrimet e prodhuesve

Politikat për ndërgjegjësimin e qytetarëve deri në rimbursimin e pagesës së ambalazheve

Pas shtatorit të këtij viti do të ndalohet prodhimi, hedhja në treg dhe importimi i qeseve plastike të pabiodegradueshme nga të gjithë operatorët ekonomikë. Ndërkohë pas janarit të vitit të ardhshëm do të ndalohet edhe përdorimi i këtyre lloj qeseve. Ministria e Mjedisit i ka propozuar qeverisë projektin “Ambalazhet dhe mbetjet e tyre”, i cili u miratua dje në mbledhjen e saj. Ndër të tjera në kapitullin e ndalesave nuk lejohet prodhimi, importimi dhe hedhja në treg e ambalazheve kur nga subjektet përgjegjëse nuk respektohen kërkesat për nivelet e përqendrimit të metaleve të rënda në ambalazhe të përcaktuara në këtë vendim. Qëllimi i këtij vendimi është mbrojtja, ruajtja dhe përmirësimi i cilësisë së mjedisit dhe shëndetit të njeriut përmes minimizimit të ndikimeve negative nga ambalazhet dhe mbetjet e tyre.

Politikat

Vendimi i qeverisë parashikon informimin e qytetarëve për përdorimin e ambalazheve, në mënyrë të veçantë për sistemet e kthimit, grumbullimit dhe rikuperimit që janë në dispozicion të tyre për mbetjet nga ambalazhet; pagesën që bën blerësi për ambalazhet që mbushen në pikën e shitjes; rolin dhe kontributin e tyre në grumbullimin e diferencuar, në ripërdorimin, rikuperimin dhe riciklimin e ambalazheve dhe mbetjeve të tyre. Kjo detyrë i ngarkohet për realizim brenda një viti ministrisë, njësive vendore dhe operatorëve ekonomikë. Gjithashtu konsumatorët duhet të jenë në dijeni të kuptimit të shenjave mbi ambalazhet që janë hedhur në treg. Me qëllim nxitjen e grumbullimit të mbetjeve të ambalazheve dhe të përdorimit të materialeve ambalazhuese që nuk përmbajnë substanca të rrezikshme, prodhuesit e ambalazheve përdorin instrumente ekonomike deri në rimbursimin e pagesës. Sipas kuptimit të këtij ligji, “sistem i pagesave të rimbursueshme” është sistemi sipas të cilit blerësi i një produkti të ambalazhuar parapaguan një vlerë të caktuar, e cila në këmbim të kthimit të një sasie ambalazhi i rikthehet atij ose në vlerë monetare, ose në trajtë të një malli apo produkti tjetër me vlerë të njëjtë me shumën e parapaguar.

Shenjimi

Prodhuesi i mallrave të ambalazhuara apo ambalazhuesi shënon mbi çdo ambalazh të hedhur në treg numrin e identifikimit dhe shkurtimin e emërtimit të materialeve të ambalazheve, shenjën e riciklimit/rikuperimit të ambalazhit si dhe shënimin që njofton detyrimin për grumbullim të diferencuar të mbetjeve nga ambalazhet. Ata janë të detyruar që të vendosin shënimin përkatës për materialin e biodegradueshëm, si dhe të marrin masa që brenda muajit janar 2013 të sigurojnë që shënimet mbi ambalazh të jenë të qëndrueshme edhe pasi të jetë hapur ambalazhi.

Riciklimi

Çdo prodhues i mallrave të ambalazhuara apo ambalazhues që ushtron veprimtarinë në territorin e Republikës së Shqipërisë do të rikuperojë dhe do të riciklojë minimalisht sasitë e përcaktuara më poshtë të ambalazheve dhe mbetjeve nga ambalazhet brenda kufijve kohorë: jo më vonë se data 30 qershor 2017 rikuperon 50-65 % të mbetjeve nga ambalazhet e gjeneruara në territorin e Republikës së Shqipërisë; riciklon 25-45 % të totalit të peshës totale të materialeve që përmbahen në mbetjet e ambalazhit dhe të paktën 15% të peshës për secilin material në veçanti. Jo më vonë se data 31 dhjetor 2019 rikuperon 60 % të mbetjeve nga ambalazhet; riciklon 55-80% të peshës së ambalazheve; riciklon, sipas llojit të materialit të mbetjes së ambalazhit; 60 % të qelqit; 60 % të letrës dhe kartonit; 50 % të metalit; 22,5 % të plastikës, duke llogaritur vetëm atë që riciklohet përsëri në plastikë; 15 % të drurit.

Sistemet e grumbullimit, kthimit dhe rikuperimit

Hedhja e plehrave, konsumatorët do t’i ndajnë në kosha sipas llojit

Prodhuesi i mallrave të ambalazhuara dhe prodhuesi i ambalazheve që mbushen në pikën e shitjes apo persona të tretë që veprojnë në emër të tyre marrin masa që të financojnë të gjitha kostot që rrjedhin për ngritjen dhe funksionimin e sistemeve të kthimit e rikuperimit të mbetjeve të ambalazheve, individualisht apo në bashkëpunim ndërmjet tyre, brenda një afati prej 4 vjetësh nga hyrja në fuqi e këtij vendimi. Përdoruesi shtëpiak dhe joshtëpiak hedh mbetjet e ambalazheve në vendin e treguar për dorëzimin e mbetjeve të ambalazheve nga prodhuesi i mallrave të ambalazhuara ose në vendet e përcaktuara nga njësia e qeverisjes vendore përkatëse, bazuar në rregulloren e miratuar prej saj. Subjektet e mësipërme, me qëllim që të ruajnë të pacenuar cilësinë e mbetjeve të ambalazheve që shkojnë për ripërdorim apo riciklim, marrin masat për transportimin me mjete të përshtatshme në mënyrë të diferencuar të mbetjeve të ambalazheve dhe në asnjë rast nuk lejojnë transportimin e mbetjeve bashkiake të përziera. Ato peshojnë mbetjet e ambalazheve sipas materialit të tyre dhe bëjnë rregullisht regjistrimin e të dhënave në regjistrat e krijuara për këtë qëllim. Ndërsa subjekteve ricikluese u dorëzojnë mbetje ambalazhesh të përbëra prej materialeve që ato riciklojnë kundrejt dorëzimit të formularit ku evidentohen të dhëna për ambalazhet e grumbulluara dhe ato të dërguara për përpunm e riciklim.

Përqendrimi i metaleve të rënda

Prodhuesit e ambalazheve prodhojnë ambalazhe dhe materiale ambalazhesh apo tregtojnë ambalazhe, me kusht që shuma e niveleve të përqendrimit të plumbit, kadmiumit, merkurit ose kromit hekzavalent të pranishëm në ambalazh apo pjesë të ambalazhit brenda afateve kohore të mëposhtme nuk kapërcen: 600 ppm të peshës deri më 30 qershor 2014; 250 ppm të peshës deri më 30 qershor 2015; 100 ppm të peshës deri më 30 qershor 2017. Këto kërkesa nuk zbatohen për ambalazhet që përbëhen tërësisht prej qelqit, me kristal prej plumbi.

Sanksionet për shkelësit e ligjit

Shkelja e parashikimeve të këtij vendimi, kur ato nuk përbëjnë vepër penale, i nënshtrohet sanksioneve të përcaktuara në nenin 62 të ligjit nr. 10 463, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, si dhe sanksioneve të tjera të parashikuara nga dispozitat ligjore përkatëse. Sipas këtij neni, çdo person që përzien, asgjëson, transferon, grumbullon etj. mbetje të rrezikshme ose jo në kundërshtim me ligjin, dënohet me gjobë në vlerën deri në 1 500 000 lekë. Ata që veprojnë pa njoftuar apo dokumentuar veprimet e tyre, dënohet me gjobë deri në 500 000 lekë.

Paloka: Topi të mos harrojë dekorimin e ish-hetuesit komunist

Selia blu ka sulmuar Presidentin e Republikës, Bamir Topi, menjëherë pas akuzave që ky i fundit adresoi ndaj Kryeministrit Berisha. Deputeti Edi Paloka e ka sulmuar kreun e shtetit duke e akuzuar si përdhosës të institucionit që përfaqëson. “Në fakt, ky është kamxhiku i Edi Ramës. Njeriu që përdhos çdo ditë institucionin e Presidentit kur betohet për shenjtërinë e pronës dhe për vete e vjedh atë; kur betohet për moral, familje e dinjitet dhe çdo ditë i ndyn ato; kur qan për të përndjekurit, por voton persekutohet; kur sillet si kaçaku pas ferrës; e përdhos institucionin e Presidentit çdo ditë, duke keqpërdorur tinëzisht atë karrige për pazare dhe sevape personale e aspak shqiptare”, - tha Paloka. Për të identifikuar atë që Presidenti Topi përfaqëson, deputeti i PD-së kujtoi dekorimin prej tij më 2008-n të ish-hetuesit të komunizmit Skënder Breca. “Dhe meqë është folur sot për foto, këtu nuk ka polifoto, dhe kjo nuk është e vitit 1968, por është e vitit 2008, është zoti Topi duke dekoruar dikë. Le të thotë zotëria se kush është ky person që ka dekoruar dhe pastaj të përbetohet për ish-të përndjekurit e ish-pronarët”, - deklaroi Paloka duke treguar momentin e dekorimit në Presidencë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›