Të rinjve, Uidhers: Votoni më 28 qershor
Ambasadori amerikan Xhon Uidhers, u bëri dje thirrje votuesve të rinj shqiptarë që në zgjedhjet e 28 qershorit të shkojnë dhe të japin kontributin e tyre për vendin. Uidhers tha: “Me votë do të zgjedhin mënyrën se si duan të qeverisen”. Ai shtoi se Shqipëria do të jetë pjesë e NATO-s. “Duhet të ndërtohet infrastruktura zgjedhore dhe në këndvështrimin tim, një nga elementët më të rëndësishëm të kësaj infrastrukture do të realizohet pas pak javësh, kur Shqipëria do të bëhet anëtare e NATO-s. Në një kohë kur lëvizjet integruese të Shqipërisë në demokracitë më të mirëthemeluara të botës afrohen gjithnjë e më pranë, ne kemi në Shqipëri një sërë programesh, qëllimi i të cilave është ndihma për ndërtimin e demokracisë”, - tha ambasadori Uidhers. Më tej ai theksoi rëndësinë e reformave në një shtet demokratik. “Ekzistenca e gjyqësorit të pavarur nuk e bën demokracinë të vështirë, përkundrazi, e bën atë të shkëlqyer. Askush nuk thotë se demokracia është një gjë e lehtë, por qëllimi është që secila prej degëve të pushtetit duhet të kryejë rolin e saj korrekt që i takon, rolin e pavarur”, - tha Uidhers. Në fund të fjalës së tij, Uidhers theksoi mbështetjen që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i japin Shqipërisë për ndërtimin e demokracisë.