E Shtunë, 31 Tetor 2026

Biberaj: Të aplikohet për në BE



Deputeti i Partisë Demokratike, Aleksandër Biberaj, deklaroi dje se Shqipëria duhet të aplikojë për në BE si vend kandidat. Sipas tij, integrimi është prioritet i mazhorancës, ndaj dhe nuk duhet humbur kohë. “Shqipëria duhet të aplikojë gjatë presidencës çeke për anëtarësim në Bashkimin Evropian, pasi integrimi sa më i shpejtë i Shqipërisë në BE mbetet prioritet kryesor i mazhorancës aktuale, por edhe i politikës shqiptare”, - tha Biberaj. Ai shtoi se ratifikimi i MSA-së nga parlamentet e vendeve anëtare të BE-së, reformat politiko-ekonomike të ndërmarra nga mazhoranca e djathtë, si dhe vullneti dhe angazhimi i kësaj mazhorance për të pasur zgjedhje të lira dhe të ndershme më 28 qershor 2009, lejojnë Shqipërinë që të aplikojë gjatë presidencës çeke për anëtarësim në BE. Biberaj tha se integrimi i Shqipërisë në BE përfaqëson aspiratën dhe ëndrrën e shumë gjeneratave shqiptare, por edhe filozofinë e Lëvizjes Studentore të Dhjetorit ‘90, mishëruar kjo më së miri në sloganin e kësaj lëvizjeje: “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›