E Shtunë, 31 Tetor 2026

DASH: Qeveria respekton të drejtat e njeriut



Departamenti Amerikan i Shtetit publikoi dje raportin e përvitshëm për të drejtat e njeriut. Kapitulli për Shqipërinë vinte në dukje që në nisje faktin se përgjithësisht qeveria i respekton të drejtat e njeriut, nuk ka diskriminime racore dhe fetare, si dhe ka respektim të minoriteteve. Gjithashtu, DASH vlerëson faktin se qeveria ka mbështetur grupet e të drejtave të njeriut që të operojnë në vend dhe nuk ka krijuar pengesa për kontrollet e tyre nëpër burgje. Ndërkohë në raport preket edhe çështja e pronës, një nga problemet që ngrihet gjithmonë në raportet ndërkombëtare, por dhe nga autoritetet vendase. Gjithashtu, debati i fundit për ligjin e dosjeve nuk ka kaluar pa vëmendjen e këtij raporti, ku ripërsëriten disa kritika të ndërkombëtarëve për këtë ligj. Por ajo që vlerësohet nga raporti janë disa masa të ndërmarra për luftën kundër korrupsionit, siç është rasti i krijimit të Agjencisë së Përbashkët të Investigimit, e cila u arrit pas një memorandumi mirëkuptimi mes Ministrisë së Brendshme, asaj të Financave dhe SHISH-it. Kjo agjenci ka detyrë të hetojë korrupsionin publik dhe krime të tjera financiare. Që nga nisja e punës, kjo agjenci ka hapur 224 raste korrupsioni. Duke u fokusuar tek lufta kundër korrupsionit përmendet dhe puna e Ministrisë së Brendshme, e cila ka raportuar 68 raste korrupsioni dhe 276 raste të mitmarrjes dhe abuzimit nga punonjësit e administratës publike. Rreth 153 zyrtarë të qeverisë janë hetuar duke përfshirë dhe oficerë policie dhe 72 janë arrestuar. Duke qëndruar tek puna e policisë, vlerësohet dhe sistemi i ri i standardizimit të procedurave, i aplikuar nga ministria. Duke kombinuar me sistemin e ri të gradave, autoritetet presin performancë më të lartë nga policia, thuhet në raport. Ndërsa për sa i përket lirisë së medias duket se shqetësim më i madh për DASH është vetëcensurimi i gazetarëve sesa ndërhyrja e qeverisë. Raporti flet për ndikime indirekte nga politika dhe nga biznesi, ndërkohë që pranon se “qeveria në përgjithësi respekton të drejtat e medias”. Ndërkohë për sa i takon çështjes së pronës, raporti i Departamentit të Shtetit thekson më tej se prona private vazhdon të jetë një problem i konsiderueshëm në Shqipëri. Lidhur me këtë çështje, në analizën vjetore të Departamentit ngrihet problemi i hendekut mes kompetencave të kufizuara të Ombudsmanit, për të vepruar dhe ankesave që vijnë pranë tij lidhur me çështjen e pronave. Në kapitullin për Shqipërinë, Departamenti i Shtetit ngre gjithashtu shqetësimin lidhur me kushtet në burgje, të cilat ende nuk përmbushin standardet ndërkombëtare. Po ashtu, në raport përmendet edhe rasti i 7 të ndaluarve në një rajon policie që ishin mbajtur mbi 15 ditë, pra për një kohë shumë më të gjatë se periudha prej 48-orësh që lejohet për ndalim para gjykimit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›